Meta para komisionit hetimor, e hënë historike për politikën

POLITIKË


Presidenti Ilir Meta do të jetë të hënën i pranishëm në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij. Kjo është hera e parë në historinë e politikës shqiptare, që një president përballet me komisionin hetimor, e kjo do i ndodhë pikërisht kreut të shtetit, Ilir Meta, që gjasat janë se shumë shpejt shkarkimi i tij do të votohet në Kuvend, por që vula e fundit i mbetet Gjykatës Kushtetuese, pasi vetë mazhoranca, është shprehur se tashmë, ai është vetëm një “president në detyrë”

Komisioni Hetimor i ka dërguar kreut të shtetit kërkesën që të jetë i pranishëm në mbledhjen e së hënës datë 9 shtator në orën 10:00. Ndërkohë, vetë presidenti e cilësoi “çmenduri” pyetjen e gazetarëve nëse ai do të jetë ose jo i pranishëm në Kuvend, ndërsa theksoi se “mezi pret të kthehet në parlament”. Një deklaratë kjo me shumë nënkuptime.


Megjithatë, Presidenti ende nuk dihet nëse do të jetë i vetëm apo i shoqëruar nga këshilltarët e tij në këtë përballje me komisionin hetimor dhe nëse do të vendosë vetëm të lexojë argumentet e tij me shkrim, apo do të përballet me pyetje përgjigje, të cilat do të sillnin edhe një interes më të lartë publik mbi këtë proces që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Duke parë reagimet që nga qershori edhe deri më sot, Presidenti Meta mund ta shfrytëzojë përballjen e tij me deputetët në Kuvend për të dhënë mesazhe të koduara ndaj Ramës dhe Bashës, ashtu siç ka vepruar në shumë dalje me akuza të rënda edhe për ndërkombëtarët deri në deklarata për “deep state”. Kohët e fundit ai ka treguar se i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjen mediatike dhe për këtë ka shfrytëzuar çdo hapësirë që mundësojnë rrjetet sociale.

Gjithsesi duket se e hëna do të jetë vendimtare për presidentin Meta, edhe për faktin se të hënën në Tiranë zbarkojnë ekspertët e Komisionit të Venecias, të thirrur nga Kuvendi për të dhënë ekspertizën e tyre për kërkesën për shkarkimin e presidentit. Duhet thënë se është hera e parë në histori që parlamenti i Shqipërisë ndërmerr nismën për të shkarkuar një president për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Në axhendë është parashikuar që ekspertët e Komisionit të Venecias të zhvillojnë disa takime. Fillimisht me presidentin Meta, për të vijuar më pas me takimet e tjera zyrtare; me krye parlamentarin Gramoz Ruçi; përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Parlament, përfshirë Komisionin e Posaçëm Hetimor, Ministrin e Brendshëm, përfaqësues të KQZ-së dhe kryetarin në detyrë të Gjykatës Kushtetuese. Para se të vendosë për shkarkimin e presidentit, maxhoranca do të presë raportin paraprak të Komisionit të Venecias. Komisioni Hetimor parlamentar ka një afat 3 mujor i cili përfundon më 9 tetor. /Realstory.al




Skip to toolbar