Meta, “presion” prokurorisë për përgjimet

AKTUALITET


Gati 24 orë pasi dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kërkuan ndalimin e publikimit nga media të audiopërgjimeve të dosjes “339”, ka ardhur reagimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta. Ky i fundit tregohet i shqetësuar për shkresën e firmosur nga dy prokurorët e Krimeve të Rënda, duke u shprehur se ajo indirekt intimidon median.

“Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se: Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike”, shprehet kreu i shtetit.

Pra, Meta duke cituar disa nene të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, “ushtron presion” ndaj Prokurorisë, duke u shprehur se asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore.

Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve”, thotë ndër të tjera Meta.

Në fund, Ilir Meta shpreh gjithashtu shqetësimin, se vonesat për hetimin nuk i shërben interesit publik. “Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm”, shton Meta, teksa e mbyll deklaratën e tij duke thënë se rikthimi i besimit te zgjedhjet e lira, do të jetë vendimtar për hapjen e negociatave me Be.

Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë”.

Deklarata e plotë e Ilir Metës

REAGIM I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË SH.T.Z ILIR META

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”, të interceptimeve të bisedave telefonike mes disa funksionarëve publikë në Qarkun e Durrësit me persona me precedentë kriminal gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017.

Presidenti i Republikës gjithashtu është njohur edhe me reagimin e organit të Prokurorisë ndaj publikimit të këtyre interceptimeve, që nëpërmjet një urdhërese kërkon ndalimin e publikimit të tyre në media.

Presidenti i Republikës duke shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda thekson se: Referencat ligjore të nenit 104 të Kodit të Procedurës Penale, nenit 295/a, paragrafi i 3-të të Kodit Penal, të përdorura nga organi i Prokurorisë përcaktojnë detyrime ligjore që i adresohen për zbatim punonjësve të shtetit dhe nxjerrja e një urdhëri të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, mbron të drejtën themelore të qytetarëve për informim. Neni 22 i saj sanksionon qartë se :

1.Liria e shprehjes është e garantuar.

2.Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Ndërsa neni 23, pika 1 sanksion qartë se: E drejta e informimit është e garantuar.

Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur.

Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe cdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm.

Presidenti i Republikës mbështet reagimin e sotëm të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë lidhur me këtë çështje dhe inkurajon të gjithë gazetarët kurajozë në denoncimin e fakteve dhe të dhënave kriminale.

Rikthimi i besimit tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme është vendimtar jo vetëm për bashkëjetesën tonë të shëndetshme demokratike si shoqëri, por edhe për celjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian sa më parë.

Ragimi i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

Pas urdhrit të dhënë më 5 qershor ku kërkohej ndalimi i publikimit të përgjimeve të dosjes 339 në lidhej me shitblerjen e votës në Durrës dhe Shijak, duket se Prokuroria e Krimeve të Rënda është tërhequr duke sqaruar se ky urdhër nuk prek mediat për cenimin apo kufizimin e lirisë së saj. Sipas njoftimit të prokurorisë, ndalimi i publikimi të materialeve dhe sekreteve hetimore prek prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen.

“Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet procedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen.”

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda

“Sipas Urdhrit të Prokurorëve, datë 05.06.2019, të dërguar për njoftim në media, në lidhje me ndalimin e publikimit të akteve sekrete të procedimit penal nr. 339 të vitit 2016, sqarojmë se ndalimi i publikimit, është i bazuar në ligjin procedural dhe atë material në fuqi, (nenet 103, 104 e 105 të Kodit të Procedurës Penale dhe neni 295/a të Kodit Penal).

Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet procedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen.

Në fazën ku ndodhet hetimi i kësaj çështjeje, nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimorë, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit, tjetërsimin apo deformimin e provave si dhe sigurinë e shtetasve emrat e të cilëve mund të bëhen publike nga publikimi i paautorizuar i akteve sekrete, të cilët janë pyetur apo do të pyeten për faktet objekt hetimi.

Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, ju bëmë me dije se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cenimin e lirisë së mediave, por vetëm arsyet ligjore të lartpërmendura.”



Skip to toolbar