Meta rikthen tonet e ashpra: Grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit. Shkarkimi? Le ta provojnë

AKTUALITET


Bashkë me konferencat e përjavshme për mediat, Presidenti Ilir Meta duket se riktheu sot edhe tonet e ashpra dhe mesazhet e qarta drejtuar maxhorancës qeverisësë.

Meta u shpreh se ishte pro listave të hapura në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa i kujtoi qeverisë të mos pengonte forcat e tjera politike të hapnin listat.
Në rast se një gjë e tillë ndodh, tha Kreu i Shtetit, vendi është para veprimeve antikushtetuese, siç i quajti ai ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës për reformën zgjedhore. Kjo situatë sipas tij është e ngjashme me një grusht shteti, duke shtuar se sipër saj qëndron grushti i popullit.


“Për zgjedhjet për mua kanë rëndësi vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vendosje e legjitimitetit në vend, kjo është një kërkesë ultimative dhe një e ardhme e qetë, me prosperitet për shqiptarët që janë lodhur, përçarë kaq shumë dhe i ka larguar më shumë nga vendi. Para pak ditësh lexova një artikull dramatik se në Shqipëri po ikin më shumë njerëz tani se në vitet ‘90.

Kërkoj t’i qendrojmë marrëveshjes së arritur në 5 qershor, të mos devijojmë asnjë milimetër, të mos përdorim gjoja lista të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën që ka qenë e hapur për lista 100% të hapura. Në rast se mazhoranca nuk dëshiron të hapë listat e saj s’ka pse pengon forcat e tjera të hapin listat. Nëse kemi një shkelje të njëanshme si me rastin e ndryshimeve kushtetuese atëherë është e qartë që kemi tentativë për grusht shteti, por grushti i shtetit do të shtypet nga grusht i popullit, është më i madh grushti i popullit”,- u shpreh Meta.

Meta po ashtu i qëndroi premtimit të tij se do vijojë të jetë President deri në 24 korrik 2022.

“Unë prej kohësh kam qënë i gatshëm që për hir të marrëveshjeve që zgjidhin krizat e institucioneve të lija edhe postin vetëm që të gjendet zgjidhje për vendin pa parë interesat personale dhe karrierën time. Dua t’ju siguroj se gjëja më e rëndësishme është garantimi i zgjedhje të 25 prillit, në të gjitha rastet premtimin që kam bërë do e mbaj, deri nmë 24 korrik 2022 Presidenca do jetë kështjellë e pamposhtur e ruajtjes së Kushtetutës. Këtu do ta mbaj me të gjitha mënyrat. Ky nuk është problemi i vetëm. Ky institucion e ka mbrojtur Kushtetutën në mënyrën më të vendosur, që vendi të mos përplaset në fund të greminës edhe pse e ka marrë tatpjetën, mjafton fakti që shtohen kushtet për integrimin. Kjo nuk është përgjegjësi e Presidentit është e qartë se kujt i takon përgjegjësia”.

Ndër të tjera kreu i shtetit iu përgjigj interesit të gazetarëve sa i takon pr/ligjit të ndërmarrë nga maxhoranca për kompetencat e Presidentit të Republikës.

“Nuk ka ligj antikushtetues nga një parlament jo kushtetues që pengon Presidentin të përmbushë misionin e tij kryesor në mbrojtje të kushtetutës në mbrojtje të pluralizmit politik, në mbrojtje të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Maxhoranca e ka provuar me Presidentin 3-0. Sa herë ka vajtuar në Venecia, pavarësësisht nga lobimi që ka bërë, pavarësisht nga miliardat që ka shpenzuar lart e poshtë. Mos e kthejë në betejë me Presidentin sepse ky është presidenti i popullit të 2marsit.

Nuk është president as i LSI dhe as i opozitës dhe populli është aty është shtuar edhe prap kërkon shpërndarjen. Po unë them këtë punë ta zgjidhim më 25 prill në mënyrë paqësore, qytetare. Duan të më shkarkojnë ta provojnë, të vijnë këtu, kush i pengoi. Presidenti ka respektuar kushtetutën jo grushtin e shtetit. Nuk trembet më njeri në këtë vend, tremben vetëm të tremburit” u shpreh Meta.




Skip to toolbar