Meta zgjedh me gogla KED, nuk shpëton nga Dvorani

POLITIKË


Pavarësisht përplasjeve të ashpra me kreun aktual të KED, Ardian Dvorani duket se Presidenti Meta nuk ka mundur dot të shpëtoj prej tij. Në bazë të shorteut që u hodh në Presidencë për krijimin e KED-së së re, Ardian Dvorani u zgjodh automatikisht si pjesë e saj dhe kryetar u KED, pasi ishte kandidatura e vetme. Sipas ligjit anëtari i zgjedhur nga Gjykata e Lartë është edhe kryetar i KED, që do të thotë se Dvorani do të mbaj të njëjtin pozicion në KED edhe për 2020. Më herët Meta ka depozituar një padi kundër Dvoranit, pasi e akuzon atë për shkelje ligjore dhe marrje kompetencash në rastin e emërimit të Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Madje Meta ka theksuar se do ta ndjekë me shumë rigorozitet veprimtarinë e këtij institucioni në mënyrë që të mos lejohet devijimi nga dispozitat kushtetuese.

Presidenca hodhi shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, që sipas ligjit e ka këtë të drejtë ta ushtrojë çdo vit kalendarik midis datave 1 dhe 5 dhjetor. Shorti u hodh nga këshilltari juridik i presidentit, Bledar Dervishi në prani të të ngarkuarës me punë të SHBA, Leyla Moses-Ones, kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi, Avokates së Popullit, Erinda Ballanca, presidentit Meta etj. Dervishi sqaroi se vetëm anëtarët që kanë plotësuar kushtet dhe kriteret marrin pjesë në short. Gjatë shortit u zgjodhën anëtarët e rinj të KED për 2020, ku dy anëtarë do të jenë nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. 

Në bazë të shortit u zgjodhën edhe anëtarët e tjerë:

-Nga Gjykata Kushtetuese për KED

Fjona Papajorgji anëtare e parë

Vitore Tusha anëtare e dytë

Marsida Xhafellari zgjidhet anëtare zëvendësuese

-Nga Gjykata e Lartë

Ardian Dvorani zgjidhet automatikisht si kandidat i vetëm

-Nga Prokuroria e Përgjithshme

Arta Marku zgjidhet anëtarë e KED-së si përfaqësuese e Prokurorisë së Përgjithshme

Bilbil Mete zgjidhet anëtari zëvendësues nga Prokuroria e Përgjithshme

-Nga Gjykata e Apelit

Miranda Andoni zgjidhet anëtare e parë

Saida Dollani zgjidhet anëtare e dytë

Nazmi Troka zgjidhet anëtar zëvendësues

-Nga prokuroria e Gjykatave të Apelit

Ludovik Dodaj zgjidhet anëtar i parë

Fatjona Memcej  zgjidhet anëtare e dytë

-Nga Gjykata Administrative

Arjan Qafa anëtar i KED nga Gjykata Administrative

Marjana Velçani zgjidhet anëtare zëvendësuese

Në kushtet ku vendi nuk ka ende një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe madje ka një debat kompleks për ngritjen e këtij institucioni, shorti i zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KED-së merr një rëndësi të madhe për shkak të rolit të rëndësishëm që ka KED, si institucioni që ka si funksion që të bëjë vlerësimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Prokurorëve etj.



Skip to toolbar