Milan i Piolit nuk gjen fitore as në Romë

SPORT


Milan ende nuk po gjen dot fitoren e parë me trajnerin e ri, Stefano Pioli, duke humbur ndaj Romës me rezultatin 2-1. Pavarësisht se është në qendër të kritikave, trajneri i ri i kuqezinjve pritej të sillte kthimin te fitoret të Milanit, por në Olimpico kanë dalë pa asnjë pikë, ndërkohë që skuadra e Romës kthehet te suksesi pas dy barazimeve radhazi. Kuqezinjtë u dorëzuan pa shumë kushte ndaj verdhekuqve, ndërsa edhe trajneri Stefano Pioli duket se nuk po jep efekt për të nxjerrë skuadrën nga kriza, teksa është ndeshja e dytë pa njohur triumf.

Roma arriti të zhbllokonte rezultatin në minutën e 38 falë golit të Edin Xhekos. Sulmuesi boshnjak shfrytëzoi një goditje këndi dhe pas një devijimi të sferës, u gjend i vetëm përballë Donarumës, aty ku nuk e kishte të vështirë për të realizuar me kokë. Në fraksionin e dytë Milani u mundua të ndryshonte mentalitet dhe hodhi më shumë vështrimin nga porta kundërshtare. Madje ia dolën edhe të rivendosnin ekuilibrat. “Djalli” shënoi falë transferimit të verës Teo Hernandez, i cili u tregua i saktë me goditjen brenda zonës.


Por, entuziazmi i kuqezinjve u shua shpejt pasi në aksionin pasardhës, Zaniolo ndëshkoi sërish Donarumën. Talenti i verdhekuqve u tregua i saktë në limitet e zonës dhe shënoi të dytin. Gol, i cili rezultoi ai i suksesit pasi rezultatin nuk ndryshoi deri në fund. Pas këtij rezultati, Milani mbetet në vendin e 12 pranë fundit të tabelës, ndërsa kanë grumbulluar vetëm 10 pikë. Sakaq, në krahun tjetër, Roma falë këtij rezultati ngjitet në vendin e pestë me 16 pikë.




Skip to toolbar