Minxhozi: Nuk humbi me SPAK dhe Amerikën, humbi me shqiptarët

Më të fundit


Po të mos ishin gazetarët e operatorët që shkonin e vinin, rrugica para shtëpisë së Sali Berishës do të kalonte sot një të shtunë krejt të qetë dhe të padallueshme nga monotonia e përjavshme. As dyndje përkrahësish, as përmbysje karrigesh e thyreje xhamash, as policë të marrë me gurë e drunj nga demokratë të revoltuar për mbylljen në shtëpi të njeriut që i ka nxjerrë dhjetra herë nëpër sheshet e rrugët e kryeqytetit. Tirana ka bërë paktin e heshtjes dhe indiferencës me Sali Berishën. Madje as edhe ndonjëri nga klientët e bareve anash hyrjes së pallatit të ish-kryeministrit nuk u pa ta linte përgjysëm kafen apo çajin teksa mediat njoftonin se gjykata kishte akorduar arrestin në shtëpi dhe vetë Berisha ndodhej disa kate sipër kokës së tyre.

Sali Berisha humbi në betejën me Spakun, më herët ka humbur të gjejë të drejtën me Amerikën, por sfidën më djegëse dhe të pariparueshme të dy viteve të fundit e ka humbur me shqiptarët. Përfshirë ata që janë gati ta votojnë edhe në zgjedhjet më të afërta, kurdo që të mbahen.

Kjo indiferencë kolektive, ky bosh i madh që rrethoi sagën ligjore te Doktorit drejt kyçjes në muret e shtëpisë, është humbja më e rëndë e karrierës së tij të gjatë. Edhe më e rëndë se cinizmi i amerikanëve që e dënuan pa një diçiturë të sqaruar fajesh, edhe më e pakthyeshme se kokëfortësia e “majtistit” Altin Dumani që ju vu pas me “bukë në trastë”. Berisha ka muaj që qëndron me të gjitha shqisat e fokusuara tek reagimi i shqiptarëve. Ai reagim që ka përbërë për 30 vjet fuqinë e tij reale përballë kujtdo dhe gjithçkaje. Ai reagim që i ka siguruar pas shpine një ushtri gjysëm-private përkrahësish që ishin gati të digjnin Tiranën me një lëvizje të dorës së tij. Ka plot shembuj për këtë dedikim në kufinjtë e adhurimit për njeriun më të fortë të tranzicionit shqiptar. Një adhurim që sot është shkrirë si vesa në diellin e mëngjesit.

Fati i Sali Berishës do të ishte shumë i ndryshëm në një kontekst tjetër politik. Në atë kontekst ku fjala vjen, vetëm pak vite më parë, Tirana mbushej me protestues, Kryeministria ulte qepenat dhe mbulonte statujat rrotull, kurse ambasadat i bënin thirrje opozitës të mos tregohej agresive me shtetin dhe pasurinë publike. Në një kontekst të tillë Berisha, Basha e Meta ishin thjesht të paprekshëm. Ishte epoka para Spakut, ose më saktë mandati i parë i prokurorisë së posaçme që ndodhej ende “në kolaudim”.

Kurba ngritëse e drejtësisë së re ka futur në fushën e lojës brutalisht një aktor të ri. Më të paparashikueshmin, më të pakontrollueshmin nga politika tradicionale. Kjo forcë e re lëvizëse duket u llogarit keq nga Berisha. Dhe sot paguan pasojat. Vetëm gabimi i fundit që ai ka bërë në një listë gafash e lëvizjesh jologjike, pas dënimit publik që i dhanë SHBA në vitin 2021.

Sali Berisha erdhi drejt betejës më të madhe të jetës së tij në një moshë kur njeriu shijon pensionin. Ai hodhi në gjyq Amerikën pasi u shpall non grata, kur ndodhej prej dhjetë vjetësh në opozitë, me një aleat politik si Basha që vetëm humbte dhe një mbi të gjitha në krye të një elite politike të cilës i ka ardhur koha të largohet.

Kjo ishte si të notoje në kundër-rrymë, në mes të një lumi të rrëmbyer në mes të dimrit. Dhe mund të thuhet me plot gojën se lumi i kohës e vuri para politikanin e plakur të tranzicionit. Ishte një betejë qysh në krye të herës e humbur, një betejë të cilën ai e ndërmori pasi i besoi iluzionit se duke pasur pas një parti politike të madhe, do të shpëtonte veten dhe familjarët e tij. Mori me vete partinë dhe s’po arrin të shpëtojë askënd!

Sot shohim sesi fundi politik i Berishës (dhe berishizmit si rrymë e ngjizur nën emrin e Doktorit), po vjen në një formë banale dhe krejt pa lavdinë e imagjinuar. Një polic që i bie derës përditë për të kontrolluar nëse qytetari Sali Berisha ndodhet ose jo në banesën e tij! As në makthet më të këqia vështirë se e kishte parë këtë drejtim që morën ngjarjet.

Sali Berisha mori me vete në rropullinë e halleve të tij personale, edhe Partinë Demokratike. Të paktën ky është imazhi që krijohet sot, kur ka një garë hipokrite brenda Rithemelimit, se kush do të flasë më fort në  favor të Berishës, se cili do të bëjë deklaratën më të fortë kundër Spak dhe Edi Ramës.

Ky është absurdi që mbetet në ajër si gjurmë e berishizmit, teksa ky i fundit është në ikje e sipër. Burra e gra në PD e sotme të Doktorit as që duan t’ja dinë se në Shqipëri ka fjala vjen një brez të ri që nuk e ka njohur zulmën e lavdive politike të viteve ’90. Ka një tjetër brez të ç’interesuarish që nuk duan t’ja dëgjojnë më as emrin politikës e që po lenë vendin për një jetë më të mirë. Ka më tej një bashkësi të madhe dhe zëplotë shqiptarësh që ngrenë zërin e duan një tjetër drejtim për Shqipërinë. Ndërkohë që Rithemelimi është kapur pas totemit të vet historik, si pas një hajmalie të shenjtë, pa menduar aspak se kësisoj po shkojnë e mbyllen në Piramidë bashkë me Faraonin.

Me këtë sjellje po vërtetohet përfundimisht se rikthimi i Berishës në politikë në vjeshtën e 2021, shënoi fillimin e fundit edhe për copën më të madhe të PD në meidanin e politikës shqiptare. Dera bosh e pallatit të Doktorit nga njëra anë dhe foltoret e opozitës dhe studiot televizive plot në mbrëmje, po tregojnë se teatri që luhet lart, në elitën politike opozitare, s’ka asnjë lidhje me atë që është sot realiteti shqiptar në rrugët, qytetet e fshatrat e Shqipërisë. Prandaj s’ka frikë Altin Dumani me Irena Gjokën ta shohin në sy të hetuarin e tyre hijerëndë. Prandaj edhe Sali Berisha ndodhet sot i mbyllur me zor në shtëpi, e jo në seli…



Skip to toolbar