Mogherini dhe Hahn: Zgjedhjet në Kosovë, të qeta e të rregullta. Të krijohet qeveria

KOSOVA


Zgjedhjet 6 Tetorit në Kosovë janë vlerësuar si ‘të qeta dhe të rregullta’ nga Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

Dy zyrtarët që merren drejtpërdrejt me çështjet e rajonit të Ballkanit Perëndimor u shprehën  se presin formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, kjo është e rëndësishme në mënyrë që Kosova të vazhdojë të punojë në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social, në sundimin e ligjit, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

 “Presim që të gjithë aktorët politikë të mbeten të përkushtuar ndaj këtyre proceseve që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës, për përparim në rrugën evropiane dhe, më e rëndësishmja, për përfitimin e qytetarëve të Kosovës dhe të gjithë rajonit”, thanë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn.

Zyrtarët e BE-së morën të martën një raport nga misioni i tyre vëzhgues, i cili ishte vendosur në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 6 tetor.

Rezultatet paraprake të këtyre zgjedhjeve e kanë nxjerrë fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e cila pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.



Skip to toolbar