Letra e Bashës për bankat, Banka Botërore kundër: Ato vendosin vetë

EKONOMI


Pas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë edhe Banka Botërore pozicionohet kundër letrës që kryetari i PD-së Lulzim Basha u dërgoi bankave pak ditë më parë duke u kërkuar që të mos financojnë PPP-të, pasi kur të vijë në pushtet do t’i anulojë.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Maryam Salim gjatë një konference për mediat në Tiranë e pyetur mbi këtë çështje u përgjigj duke thënë se PPP-të nuk janë një gjë e keqe dhe se u takon bankave të vendosin vetë se ku duhet të financojnë.


“PPP nuk janë një gjë e keqe se asnjë vend nuk i përmbush të gjitha nevojat infrastrukturore vetë, çështja është si i menaxhoni, transparenca, përfitimet dhe përparësitë. Ajo ku duhet të investojnë apo jo bankat, ua lë atyre, se cdo bankë kur vendos shikon se cfarë ka kuptim për ata. Kemi një sektor mjaft të gjallë në Shqipëri. Nuk duhet të themi që nuk duhet të ketë PPP, por t’i bëjmë ato më transparente” tha ajo. 

Ndërsa përfaqësuesja për Shqipërinë, Hilda Shijaku u shpreh se ndryshimet në ligjin e koncesioneve janë pozitive. “Po punojmë për hartimin e një raporti për kontratat koncesionare, për të parë kostot dhe ndikimin që kanë në ekonomi”, deklaroi Shijaku.




Skip to toolbar