“Morëm stafetën nga Suedia”, Rama: Shqipëria zgjidhet me votë unanime në krye të “Forest Europe

Më të fundit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në podkastin “Flasim” se Shqipëria është zgjedhur me votë unanime në krye të Forest Europe për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia në platformën më të rëndësishme paneuropiane për pyjet dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Sipas Ramës, ky vendim përbën një vlerësim për transformimin që ka pësuar vendi në mbrojtjen e mjedisit gjatë dekadës së fundit. Ai theksoi se 10 vite më parë Shqipëria përballej me prerje masive të pyjeve, gjueti të paligjshme dhe mungesë të mbrojtjes së zonave natyrore, ndërsa sot është në krye të një organizate europiane në këtë fushë.

Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu se kandidatura shqiptare u mbështet fuqishëm nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Rama bëri të ditur edhe një tjetër zhvillim pozitiv për vendin, duke njoftuar se Liqeni i Shkodrës është përfshirë në biosferën e UNESCO-s. Sipas tij, këto arritje dëshmojnë progresin e Shqipërisë në mbrojtjen e mjedisit dhe në harmonizimin e zhvillimit ekonomik me ruajtjen e trashëgimisë natyrore.

 “Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Bëhet fjalë për platformën më të rëndësishme paneuropiane, ku janë bashkë Bashkimi Europian dhe 45 vende europiane, që adreson pikërisht fushën e pyjeve dhe të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore, duke iu referuar pikërisht pyjeve.

Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin.

10 vjet më parë, kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh venin e vinin vargan-vargan lart e poshtë, nga veriu në jug? 10 vjet më parë, kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se edhe zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë.

Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini-superfuqi energjetike e rajonit?

Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet, ne të mos e kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% të territorit të Shqipërisë etj.?

Pra, fakti që nuk e imagjinojmë dot se Shqipëria do të ishte zgjedhur në krye të këtij forumi dhe do të merrte stafetën nga Suedia, dhe mbi të gjitha që Shqipërinë do ta mbështesnin fuqishëm dy vende, të cilat kanë një reputacion absolut për sa i përket mënyrës se si mbrojnë dhe administrojnë pyjet, Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar.

Pra, fakti që, besoj, nuk e imagjinojmë dot të gjithë së bashku, pavarësisht dallimeve që mund të kemi në të gjitha aspektet e tjera, që nuk imagjinojmë dot se Shqipëria do të merrte kryesimin e Forest Europe 10 vjet më parë, por e merr sot duke marrë stafetën nga Suedia me bekimin e të gjitha vendeve, me një mbështetje shumë të zëshme në procesin e shqyrtimit të kandidaturave nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të na thotë diçka edhe për të sotmen, duhet të na thotë diçka edhe për mënyrën se si në të sotmen qeverisin dhe udhëheqin ata të cilët e kanë bërë këtë transformim.

Dhe dua t’ju them, që Shqipëria njëkohësisht ka marrë edhe një lajm tjetër jashtëzakonisht, jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe të bukur në këtë atmosferë kaq të ndezur me ngjyrën e flamingove, një lajm që duhet t’i gëzojë të gjithë.

Fakti që këtë javë Shqipëria ka marrë edhe një tjetër lajm të mirë, përfshirjen e liqenit të Shkodrës në biosferën e UNESCO-s.

Një tjetër shembull domethënës që në Shqipëri nuk qeverisin forca, apo nuk qeveris një forcë që shkatërron; qeveris një forcë që ndërton. Nuk qeveris një forcë që abuzon me mjedisin dhe me trashëgiminë natyrore apo kulturore, por qeveris një forcë që, në të kundërt, kërkon që t’i harmonizojë të dyja bashkë, sepse të mendosh që zgjidhja është ose të konservosh, ose të ndërtosh, do të thotë të mos kesh kuptuar asgjë nga të gjitha zhvillimet e dekadave të fundit dhe, mbi të gjitha, të mos kesh kuptuar asgjë nga domosdoshmëria që njerëzit të rrisin mirëqenien e tyre, duke vënë në funksion të rritjes së mirëqenies edhe burimet natyrore.

Por, nga ana tjetër, që burimet natyrore të mund të jenë aty për njerëzit, duhet të jenë nën kujdesin, nën përkujdesjen, nën sytë e njerëzve për t’i ruajtur, për t’i mirëmbajtur, për t’i ushqyer dhe për t’i bërë ende më të vlefshme, qoftë në atë çka ato paraqesin, qoftë në atë për çka ato shërbejnë.”, tha Rama.



Skip to toolbar