Stuhi e përmbytje, PD: Një mijë banorë të izoluar në Zall Bastar

AKTUALITET


Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë, ku reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë krijuar problematika në disa zona, ndërsa niveli i lumenjve Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë është rritur ndjeshëm duke shtuar rrezikun për përmbytje. Për motin e keq ka reaguar edhe Partia Demokratike duke treguar një urë në zonën e Zall Bastarit që po përmbytet nga lumi. PD thotë se te kjo urë pothuajse e shkatërruar përdoret nga fëmijët çdo ditë për të shkuar në shkollë, ndërsa moti i keq ka bllokuar më shumë se një mijë banorë që e përdorin urën për të kaluar dhe lidhur me fshatrat e tjerë.

Për këtë Partia Demokratike nuk harron të sulmojë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ku shkruan se fondet për urën e Zall Bastarit shkuan në Surrel, për kompaninë e ish kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefaliaj, duke lënë këtë zonë në këto kushte.


“Reshjet e shiut kanë krijuar një situatë të rrezikshme në Zall Bastar. Mbi një mijë banorë janë pothuajse të izoluar, pasi e vetmja urë, në gjendje të mjeruar, është gati e mbuluar nga uji i vrullshëm i lumit. Kjo është e vetmja urë, ku nxënësit kalojnë për të shkuar në shkollë dhe, siç tregojnë pamjet, është një rrezik i përditshëm në stinën e shirave. Prej shumë vitesh banorët kanë protestuar, kanë kërkuar zgjidhje nga qeveria dhe bashkia për një urë të re të sigurt, por problemi i tyre nuk është zgjidhur. 3 vjet më parë, Erion Veliaj dhe Xhemal Qefaliaj inspektuan punimet e nisura për një urë të re, por në realitet nuk ka asnjë të tillë. Disa muaj më parë, kur protestuan për urën e munguar, banorët u thanë përfaqësuesve të PD, Gent Strazimiri dhe Abi Malltezi se fondet për urën e Zall Bastarit shkuan në Surrel, për kompaninë e ish kryetarit të komunës Dajt, Kujtim Qefaliaj, njëkohësisht edhe kryetar i njësisë administrative Dajt. Zall Bastari është pjesë e Bashkisë së Tiranës, por premtimi i Erion Veliajt se “banorët e periferisë do të trajtohen njësoj si ata në ish Bllok, rezulton një nga mashtrimet e tij të shumta” shkruan PD.




Skip to toolbar