Moti i keq “paralizon” vendin, gurët bllokojnë aksin Elbasan-Librazhd

AKTUALITET


Aksi rrugor Elbasan – Librazhd në vendin e quajtur Murrash është bllokuar si pasojë e motit të keq. Disa gurë kanë rënë nga faqja e malit duke rënë në rrugë dhe bllokuar qarkullimin e mjeteve.

Copa shkëmbinjsh e gurë të mëdhenj ranë në aksin rrugor, ndërsa po  punohet për largimin e tyre dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve.


E gjithë Shqipëria është përfshirë nga një moti i keq me shira të rrëmbyeshëm duke sjellë përmbytje në të gjithë vendin dhe era të forta që në disa zona kanë shkaktuar probleme me rënien e pemëve.

Zonat më të prekura nga shirat janë Tirana, Lezha, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Vlora e Gjirokastra, ndërsa lumenjtë janë fryrë deri në nivelet e tyre maksimale, duke rrezikuar daljen nga shtrati në çdo çast.

Edhe situata në qytetet bregdetare e portet e tyre paraqitet e rëndë, ku për shkak të detit të trazuar dhe dallgët deri në 8 ballë nuk lejohet asnjë lloj lëvizje me mjetet lundruese.

Reshjet kanë sjellë fryrje të lumenjve në Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë duke rritur rrezikshmërinë  për përmbytje.

Si pasojë e motit të keq vetëm pas 14 orësh në det, vetëm mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 nga trageti që ndodhej në radë zbritën pasagjerët në Vlorë. Për anijet e peshkimit u pezullua lundrimi. Edhe në Shëngjin është pezulluar lundrimi, pasi dallgët e detit kanë arritur deri në shëtitoren e plazhit.

Edhe në Durrës forca e detit është 8 ballë, ndërsa një traget ka ardhur në mëngjes dhe një në 11:30 nga Ancona, tjetri pritet në 16:00 nga Bari. Fluksi nga Italia është shtuar për shkak të festave të fundvitit, ku një pjesë e shqiptarëve kanë zgjedhur t’i kalojnë pranë familjeve. Në portin e Durrësit anijet e tonazhit të vogël dhe peshkarexhat ndodhen në spirancë për shkak të motit, ndërsa tragetet dhe anijet e tonazhit të lartë vazhdojnë punën.

Mot me reshje të dendura shiu dhe erë të fortë ka pasur edhe në Sarandë. Si pasojë e dallgëve dhe erës së fortë është pezulluar lundrimi për mjetet e peshkimit, gjithashtu është pezulluar lundrimi për anijet e pasagjerëve drejt Korfuzit. Shiu do të vijojnë deri nesër në mesditë më pas do të ketë ulje të temperaturave për t’u rikthyer sërish në fundjavën tjetër.

Stuhia e reshjeve që ka përfshirë vendin ka pushtuar edhe kryeqytetin duke sjellë trafik të rënduar dhe rritje të nivelit të Lanës. Në Unazën e Re në Tiranë te rruga ‘Teodor Keko’ si pasojë e stuhisë kanë rënë tre pemë duke bllokuar rrugën.

Probleme nga moti i keq ka pasur në disa zona edhe në Gjirokastër. Në Labovë të Madhe dhe në Qestorat ka rrëshqitje dherash dhe si pasojë rruga është bllokuar. Si rezultat i erës së fortë dhe reshjeve të shiut në Grykën e Këlcyrës janë rrezuar disa pisha të cilat kane bllokuar rrugën automobilistike Këlcyrë -Tepelenë.




Skip to toolbar