Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën një vendim, i cili detyron ndërtuesit e objekteve që të bëjnë dhe sigurimin e ndërtesës për një periudhë 19-vjeçare. Në vendimin e zbardhur, lexohet se “Ndërtuesit, zhvilluesit apo investitori, i dorëzon blerësit, njëkohësisht me lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së ndërtesës, një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar, me përfitues blerësin. Efekti i kontratës së sigurimit nis nga momenti i përfundimit të punimeve”, thuhet në VKM.
Po çfarë parashikohet për mbulimin e dëmeve?
Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, kontrata e sigurimit “mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, objekti shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda”, thuhet në vendim.
Sipas Qeverisë, “limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë paluajtshme”.
Në momentin që ndërtuesi dhe blerësi lidhin kontratën e kalimit të pronësisë te noterët, kjo kontratë duhet të shoqërohet dhe me kontratën e sigurimit 10-vjeçar në favor të blerësit. Tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1 (zero pikë një) për qind e shumës së sigurimit/limit të përgjegjësisë së përcaktuar në kontratën e sigurimit.
Në rastet kur kontrata e kalimit të pronësisë nuk do të jetë e shoqëruar me kontratën e sigurimit të ndërtesës, sporti i shërbimeve kadastrave nuk do të administrojë kontratën e kalimit të pronësisë, pra shit-blerja e banesës nuk do të njihet.
Ky vendim i qeverisë vjen fill pas tërmetit që goditi vendin, duke shkaktuar mijëra banesa dhe objekte të tjera të dëmtuara. Këto ndërtime do të rindërtohen nga shteti, por me VKM-në e qeverisë, në të ardhmen për çdo fatkeqësi natyrore, do të jetë siguracioni i banesës që do të duhet të marrë përsipër këtë përgjegjësi. /Realstory.al/