Duke nisur nga 1 janari i këtij viti, 472 shërbime që më parë duhet të aplikoje në spotelet shtetërorë, tashmë do të ofrohen duke aplikuar online. Kryeministri Edi Rama prezantoi të premten këtë nismë të qeverisë. Shërbimet do të nisin të jepen nga e hëna e javës së ardhshme, por sipas kreut të qeverisë sportelet nuk do të mbyllen menjëherë.
“Në periudhën e parë, muajin e parë dhe të dytë, personat do të asistojnë sportelet. Nuk do të jetë direkt bam bam mbyllja e sportelit, që të bëhet azhornimi, si dikur biletat elektronike në aeroporte. Sot e kemi lënë pushim si ditë e ndërmjetme për ata që do të donin të pushonin pak më gjatë, edhe kështu fillojmë direkt në datën 6 janar, që është fillimi i revolucionit kundër radhëve dhe ryshfetit.
Blloku i parë është ky, i dyti në qershor, ndërsa deri në fund të 2020, 90% e shërbimeve do të jenë online. Për shqiptarët jashtë nuk do të kenë më nevojë të vijnë për pushimet dhe të qëndrojnë në radhë. Janë vetëm një numër i vogël shërbimesh që kanë nevojë ta kenë personin aty” tha ai. Por me të moshuarit si do të veprohet? “Si në rastin e platformës së bashkëqeverisjes, ose duke shkuar në një pikë shërbimi, ose duke i kërkuar ndihmë djalit, vajzës, nipit apo fqinjit”, tha Rama.
Po çfarë do të thotë të marrësh shërbime online? Kryeministri Edi Rama sqaron se: “qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dokumente shtetërorë kur aplikojnë, po vetëm dokumenta që janë individualë. Të gjithë dokumentet shtetërorë të nevojshëm për dosjen e aplikimit online, do të sigurohen për llogari të qytetarit, nga vetë punonjësi i sportelit përkatës. Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin.
Ky proces transformues rrënjësor do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht rryshfetin. Në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen vetëm online në e-albania.al”.