Revolucioni që po u ha kohën, bijëve të vet

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Pesë aleatët formal të PD, janë mbledhur në Kantinën e Agron Dukës dhe i kanë kërkuar Lulzim Bashës të ulen me Edi Ramën, sipas një plani të hartuar së bashku, ku përfshihen ndryshime kushtetuese, ndryshime të kodit elektoral, ndryshime në ligjin e dekriminalizimit etj. Monika Kryemadhi që ka shmangur darkën me verë mes burrash, ja ka thënë sot, thuajse të njëjtën gjë, duke u përpjekur ti heq turpin për takimin me Ramën. Të dërguarit ndërkombëtarë që vijën e ikin në Shqipëri pa vrarë shumë mendje për krizën, po ashtu po i kërkojnë opozitës të ulet në tryezë për reforma ligjore.


Kushti i vetëm i të gjithëve është që Lulzim Basha të mos ulet vetëm me Edi Ramën por bashkë me të tjerë. Situata është tragjiokomike për faktin se Lulzim Bashën po e trajtojnë të gjithë si një delikuent të papërgjegjshëm që duhet të shkoj i shoqëruar në takim me të rriturit, ndërsa vet Lulzim Basha nuk ka asgjë për të reformuar në tryezë me Edi Ramën. Ai nuk ka gjë për të shtuar në ndryshimet kushtetuese, nuk ka ndonjë ide se si mund të shpëtoj po ndryshoi përsëri ligjin e dekriminalizimit dhe mbi të gjitha ai  është dakord me Edi Ramën, lidhur sistemin elektoral, pasi është i vetmi sistem që i jep atij autoritet në parti.

Ajo që u premtoi Lulzim Basha aleatëve para se të niste revolucioni, ishte gjunjëzimi i Edi Ramës me revolucion, me djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh dhe jo mundja e Edi Ramës përmes një marrëveshje të re me të, qoftë dhe me pesë aleatët e tij dëshmitarë. Përpjekja e të gjtihëve për ti nxjerr turpin Lulzim Bashës dhe për ta ulur me Edi Ramën, është qesharake, pasi ai nuk ka problem dialogun me Edi Ramën, por mundjen e Edi Ramës. Nëse ai pranon të ulet sot në tryezë me Edi Ramën, duhet të pranojë që i ka dështuar revolucioni dhe revolucioni i dështuar ka kosto, pasi siç ka thënë dhe Berisha, lideri duhet të ketë bilanc.

Nga ana tjetër nëse Lulzim Basha duhet të ndryshojë kursin dhe të pranoj humbjen e revolucionit, ai duhet të ndryshoj dhe aleatët e tij. Këta që po i kërkojnë të ulet me Edi Ramën janë ata që i kërkuan të nis revolucioni dhe i qëndruan në krah në gjithë atë marrëzi që desh futi në luftë civile Shqipërinë. Ata që e kundërshtuan dhe nuk i shkuan pas Lulzim Bashës, janë në parlament ose jashtë tij në parti të tjera. Lulzim Basha nëse ndryshon kurs, do ti duhet së pari të ulet me ta, të pranoj që gaboi dhe të mbështesë idenë e tyre. Ulja në tryezë me Edi Ramën nënkupton rikthim në sistem dhe rikthimi në sistem bëhet duke ripranuar opozitën parlamentare, duke ja lënë asaj përfaqësimin e PD në parlament dhe duke u përpjekur të rintegrohet përmes tyre.

Pa ata, PD në zgjedhjet e ardhëshme është një parti jo parlamentare, pa asnjë deputetë dhe kryetar bashkie, pa asnjë fond nga shteti dhe pa asnjë të drejt më shumë se Bindja Demokratike e Patozit, apo ndonjë parti tjetër që mund të formojë opozita parlamentare. Ndaj historia e opozitës tanimë nuk zgjidhet nga ata që përkahën rrugën e revolucionit. Ata kanë dështuar dhe të humburit në luftë janë thjeshtë të vdekur. Rikthimi i PD në tryezë bisedimesh është lajm i mirë për PD por jo për Lulzim Bashën.

Atij do ti duhet ti hap rrugë dikujt që nuk kishte përgjegjësi për këtë greminë ku e hodhi PD dhe duhet tu kërkoj ndjesë gjithë atyre që i mallkoi si armiqë të PD, vetëm pse nuk pranuan rrugën që sot të gjithë e quajnë dështim, por Lulzim Bashën nuk guxojnë ta quajnë dështak. Në parim çdo revolucion u ha kokën bijëve të vet, kurse ky revolucioni i dështuar i PD, thjesht po u ha kohën, duke u marrë me Lulzim Bashën. Dhe kanë për ti gjetur zgjedhjet e vitit 2021, duke ju lutur të mos ketë frikë nga Edi Rama.




Skip to toolbar