Në kërkim nga policia, Agim Kajmaku apelon mandat arrestin, kërkon lirinë

AKTUALITET


Ish kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku i cili është në kërkim prej 6 ditësh nga policia, në kushtet e arratisë ka apeluar mandat arrestin e lëshuar ndaj tij, duke kërkuar lirinë. Kajmaku akuzohet nga prokuroria se ka ushtruar detyrën e kryebashkiakut edhe pasi është shkarkuar, duke firmosur në kundërshtim me ligjin shkarkimin e dy nënkryetarëve të bashkisë së Vorës. Ai është kallëzuar penalisht nga dy ish vartësit e tij, të cilët i shkarkoi pasi ishte shkarkuar vetë nga KQZ.

Kallëzimi penal është depozituar nga Laureta Omeri dhe Hekuran Ibrahimi të cilët Kajmaku i zëvendësoi me Gentian Picarin. Ky veprim sipas prokurorisë është kryer në shkelje të ligjit dhe dyshohet se Kajmaku ka falsifikuar edhe dokumentet zyrtare përfshi numra protokolli e datë vendimi. Në dokumente shkarkimi i tyre mban datën 31 tetor, por dyshohet që Kajmaku t’i ketë marrë vendimet pas 1 nëntorit, datë kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin dhe të ketë falsifikuar dokumentet zyrtare.

Të premten prokuroria ka marrë në pyetje edhe nënkryetarin Picari të zgjedhur nga Kajmaku të cilit ika sekuestruar edhe telefonin. Prokuroria pritet ta ekzaminojë telefonin e Picarit për të zbardhur bisedat e ti me Kajmakun.

Nga ana tjetër policia prej disa ditësh është kërkim të Kajmakut për të cilin ka një urdhër arresti.

Kajmaku i zgjedhur kryetar i Bashkisë Vorë më 30 qershor, u shkarkua nga KQZ më 1 nëntor pasi shkeli ligjin e dekriminalizimit duke mos deklaruar një dënim në Greqi.

Prokuroria nisi hetimet për të dhe e akuzon për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre”, sipas nenit 248 te Kodit Penal, “Falsifikimi i formularëve”, neni 190 i Kodit Penal, dhe “Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”, neni 249 i Kodit Penal.

Kryebashkiaku Kajmaku u akuzua nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.

Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person.

Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj. Gjithsesi kjo nuk mjaftoi për të bindur KQZ-në e cila mori vendimin për ta shkarkuar.



Skip to toolbar