Bënin kërdinë nëpër vila, goditet banda e hajdutëve, 6 shqiptarë në pranga

AKTUALITET


Ka përfunduar me 6 persona të arrestuar operacioni i fundit i policisë së shtetit në Itali, i cili ka goditur një bandë shqiptarësh që bënin kërdinë duke grabitur vila në zonën qendrore dhe veriore të Italisë. 6 persona kanë përfunduar në burg, 9 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa operacioni u shtri në disa qytete, si në Romë, në zonat e Ponte di Nona dhe Tor Bella Monaca. Këtu, organizata kriminale kishte bazat operacionale.

Personat nën hetim dhe të arrestuar, të gjithë me origjinë nga Shqipëria, hynin në aksion sidomos gjatë orëve të mbrëmjes dhe të natës dhe nga Roma spostoheshin në qytetet e qendrës dhe të veriut të Italisë për të kryer grabitjet e shumta.


Krimet kryheshin madje edhe kur njerëzit ishin në shtëpi dhe në disa raste, përveç parave dhe sendeve të çmuara, hajdutët vidhnin edhe çelësat e makinave, të cilat më pas i përdornin për të lëvizur dhe për të kryer grabitjet e tjera.

Sipas hetuesve, banda kishte lidhje edhe me grupe të ndryshme që veprojnë në qytete të tjera në Itali, si Milano, Venecia, Vicenza dhe Ascoli.

Për të realizuar këtë operacion me sukses policia e shtetit në Itali kishte gati 1 vit që kryente hetimet për këtë grup kriminal.

Me ndihmën e përgjimeve dhe ndjekjen në të gjithë territorin, u verifikua ekzistenca e një grupi të strukturuar të profesionistëve të vërtetë, të cilët mburreshin se fitonin në vetëm një dimër në Itali më shumë se një milion euro.

Policia gjatë këtij operacioni ka sekuestruar një duzinë makinash të vjedhura dhe mallra të tjera si (orë Rolex, Cartier, Guçi dhe marka të tjera prestigjioze), shumë bizhuteri ari, diamante dhe xhevahire të tjera të çmuara si dhe çanta dhe objekte me vlerë.




Skip to toolbar