Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta, më në fund nisën të shqetësohen në lidhje më të ardhmen evropiane të vendit. Si Basha, ashtu dhe Meta u shprehën se Shqipërisë i duhen hapur negociatat duke pranuar se çelja e tyre do të ndihmonte në zgjidhjen e krizës në vend dhe forcimin e institucioneve demokratike. Gjatë konferencës së mbajtur për 10 vjetorin e “Fondacionin Korad Adenauer”, Basha tha se hapja e negociatave do të ishte mënyra më e mirë që vendi të dilte nga kriza dhe me ndihmën e Gjermanisë ëndrra për “Shqipërinë si Europa” do bëhet realitet. Basha kërkoi ndihmë e Gjermanisë që të lobojë pranë vendeve skeptike për të mundësuar hapjen e negociatave.
“Ne u bëmë thirrje miqve tanë gjermanë që, me gjithë gjendjen e rëndë në vend, shkaktuar nga hapat prapa në lidhje me ekonominë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e shprehjes, vetëm hapja e negociatave garanton një vëmendje të shtuar të Bashkimit Europian në Shqipëri, një kontroll më të fortë të funksionimit të institucioneve, ndarjes së pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe barazisë para ligjit, si garanci për qytetaret e këtij vendi se liritë dhe të drejtat e tyre do të respektohen. Falë qëndrimit të drejtë dhe parimor dhe mbështetjes së fortë të Kancelares Merkel dhe CDU për Shqipërinë, Bundestag ka propozuar rrugën drejt hapjes së negociatave, që është edhe udhërrëfyesi ynë për daljen nga kjo krizë. Ndaj, unë jam plot besim se bashkë me shqiptarët dhe me ndihmën e miqve tanë, do t’ia dalim ta bëjmë “Shqipërinë si Europa”. – tha Basha
Edhe presidenti Meta theksoi se negociatat duhet të hapen për Shqipërinë pasi vendi ynë nuk bën dot pa Europën. Meta theksoi se shpreson shumë që vendet skeptike t’i bashkohen vendimi pro hapjes së negociatave të Bundestagut dhe se palët politike në vend të ulen dhe të zgjidhni “krizën artificiale” që po mbizotëron në vend.
“Gjermania është një vend mik. Edhe prezenca e fondacionit mbetet dëshmi e jashtëzakonshme e forcimit të këtij bashkëpunimi. Shumë kohë kemi humbur si komb dhe harrojmë mbi të gjitha se Europa bën edhe pa ne, se ka bërë edhe në të kaluarën por ne nuk bëjmë dot pa Europën. Duhet një reflektim të thellë dhe serioz. Këto ditë ne presim vendimin, shpresojmë pozitiv mbi negociatat. Uroj dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend që ka shqetësimet e tij konkrete ti bashkohet qasjes së Bundestagut për të nxitur vendin që të përmbushë kriteret. Duhet të gjejnë kurajën dhe të reflektojnë për ta vendosur vendin në shinat kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj krize artificiale, që ende mbizotëron. Ne kemi shumë ç’të mësojmë nga bashkëpunimi politik në Gjermani. Çelësi i suksesit në duart e politikës shqiptare” tha Meta.