Negociatat, kreu i KLP lobon në Holandë

AKTUALITET


Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Holandë. Qëllimi i vizitës së tij në Holandë, është informimi i qeverisë së këtij vendi në prag të marrjes së dritës jeshile për negociatat. Holanda është një nga vendet skeptike lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo kërkon zbatimin e Reformës së Drejtësi dhe ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Ibrahimi takoi në Holandë drejtorin e Qendrës për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar në Hagë, Willem van Neuwkerk.

Ibrahimi dhe Van Newkerk nënvizuan nevojën për veprim të menjëhershëm dhe efikas në implementimin e Reformës në Drejtësi me ngritjen e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Willem van Neuwkerk, i shprehu Gent Ibrahimit qëndrimin se Holanda pret rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, konfiskimi i aseteve me burim të paligjshëm dhe vendosja para drejtësisë së personave të inkriminuar.

Duke e informuar zyrtarin holandez për punën e bërë deri tani, Ibrahimi është shprehur  se hapja e negociatave do të “ishte një garant se reforma po ecën në drejtimin e duhur dhe Shqipëria ka nevojë për ekspertizën dhe mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar gjatë këtij procesi”. Gjatë qëndrimit në Hagë, Gent Ibrahimi pritet të takohet me Prokurorin e Përgjithshëm të Mbretërisë së Holandës, Gerrit van der Brug dhe Presidentin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit të Mbretërisë së Holandës, Henk Navis.



Skip to toolbar