“Loja” e Besnik Canit për t’i shpëtuar shkarkimit, çon në SPAK gjyqtarin e KPA

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, është duke u përballur me shkallën e dytë të Vettingut. Pasi kaloi me sukses dy vite më parë në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Cani u rikthye në Vetting me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që kërkon shkarkimin e tij.

Megjithatë, ndryshe nga kolegët e tij që janë rikthyer në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe i janë nënshtruar verdiktit të këtij institucioni, Besnik Cani ka zgjedhur të mbrohet. Kështu, pas shtyrjes së seancës së datës 8 janar, Besnik Cani doli të hënën përsëri përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Këtë herë, ai shoqërohej nga avokati i tij mbrojtës, ish-deputeti demokrat Eduart Halimi.

Avokati i Canit u shpreh se “gjatë këtyre ditëve është vënë në dijeni se dy prej anëtarëve të trupës, Artan Hajdari dhe Luan Daci, janë në kushtet e pazgjidhshmërisë”. Ndërkohë, Besnik Cani ka bërë kërkesë në KPA për përjashtimin e dy anëtarëve, Hajdari dhe Daci nga trupa gjykuese ndaj tij.

Gjithashtu, për Luan Dacin, Besnik Cani mësohet të ketë bërë një kallëzim penal në SPAK me pretendimin se ka “falsifikuar formularët”. Pra, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë duket se ka vendosur të bëjë rezistencë deri në fund ndaj Kolegjit të Apelimit, lidhur me kërkesën e ONM për shkarkimin e tij nga detyra.

Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018. Megjithatë, vendimi i KPK-së u apelua nga Komisioneri Publik me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Sipas relacionit të publikuar nga Komisioneri Publik, Besnik Cani është me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit; atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

“Nisur nga hetimi dhe vlerësimi i kryer nga Komisioni, sa i takon kritereve të rivlerësimit, bazuar në kërkesat e dispozitave të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit të posaçëm nr. 84/2016, Komisioneri Publik konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni janë të gabuara dhe jo në pajtueshmëri me provat e administruara”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komisionerit Publik.

KLP i jep “ok” Krajës për dy prokurorë shtesë të SPAK

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi kërkesën e kreut të SPAK, Arben Kraja, që prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara të bëhen përkohësisht pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Kërkesa e Krajës u miratua me 9 vota pro nga anëtarët e KLP, duke plotësuar SPAK me 10 prokurorë, aq sa është numëri minimal i funksionimit të kësaj strukture. Kujtojmë se dy  prokurorët kanë hetuar më parë dosje të “nxehta” të politikës shqiptare, kur ata ishin pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Dritan Prençi ishte prokurori që hetoi dosjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, ndërsa Mara hetoi dosjen e përgjimeve të votave në Durrës. Të dy prokurorët nuk janë të panjohur edhe për SPAK. Vladimir Mara dhe Dritan Prençi ishin kandidatë për tu bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar. Por, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara nuk arritën të ishin pjesë e listës fillestare me 15 prokurorë që KLP përzgjodhi për tu bërë pjesë e SPAK.

Në fakt, të dy prokurorë, Mara dhe Prençi e kishin kaluar me sukses Vettingun por ata nuk morën pikët e mjaftueshme për të qenë pjesë e listës me 15 kandidatë për SPAK. Por, Arben Kraja, kreu i SPAK, vlerëson se dy prokurorët janë të vetmit që plotësojnë kushtet ligjore për tu emëruar përkohësisht anëtar të SPAK deri në hapjen e procedurës për emërimin e anëtarëve të rinj të Prokurorisë së Posaçme.

SPAK “shkrin” Krimet e Rënda, ja ku transferohen prokurorët e dosjeve të bujshme

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha të enjten fund zyrtarisht ekzistencës së  Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe asaj të Apelit për Krime të Rënda. Pas krijimit të SPAK (Prokurorisë së Posaçme), prokurorët që punonin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të Apelit për Krime të Rënda, janë transferuar me detyrë në prokurori të tjera. Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është caktuar përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Tiranë, ndonëse ishte përfolur se do të caktohej në Durrës.

Gjithashtu, pranë kësaj prokurorie janë caktuar edhe 10 prokurorë të tjerë, mes tyre Besim Hajdarmataj, Manjola Kajana, Elisabeta Imeraj, Anton Martini, Dritan Prençi, Isa Jata dhe Arta Marku që shkon përkohësisht në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Përparim Kulluri është transferuar në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër ndërsa Eugen Beci në Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë.

Ndërkohë, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi u shpreh gjatë mbledhjes se në 19 dhjetor do të betohen 8 anëtarët e parë të SPAK. “Më 19 dhjetor betohen 8 anëtarët e SPAK. 16 prokurorë nga Krimet transferohen në tjetër vend. Sot transferohen në rrethe prokurorët e mbetur te Krimet”, tha mes tjerash Gent Ibrahimi.

Në të njëjtën ditë kur KLP bëri transferimin e prokurorëve të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi me një videomesazh. SHBA shprehej se ka investuar rreth 2 milion dollarë për ngritjen e SPAK, ndërsa paralajmëronte se “bosët e krimit” dhe zyrtarët e korruptuar nuk do të kenë asnjë shpëtim.

“Ditëve të shkuara të zyrtarëve të korruptuar dhe bosëve të krimit që ishin të paprekshëm, po u vjen fundi. Ditët e shkuara të drejtësisë selektive do të zëvendësohen nga drejtësia për të gjithë. Një strukturë e re anti korrupsion po krijohet me mbështetjen e SHBA-së, e cila do të ketë në shënjestër këta individë që ia kanë dalë që të shmangin ndjekjen penale nëpërmjet kontrollit të emërimeve dhe lidhjeve personale. Struktura e posaçme anti korrupsion dhe krimit të organizuar ose SPAK do të funksionojë së shpejti. Me t’u ngritur do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit më të lartë”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e SHBA.

KLP-KLGJ, fonde për shoferë e sistem audio, Fino: Absurde!

Diskutimi i buxhetit për vitin 2020 në Komisionin e Ligjeve është shoqëruar me debate edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Kryetari i KLP-së Gent Ibrahimi kërkoi në Komisionin e Ligjeve që në buxhetin për vitin 2020 të shtohen 6 shoferë, 4 sekretarë dhe specialistë IT-je, kërkesë që u rrëzua pas shumë debateve me deputetin socialist Bashkim Fino.

“Ka një dallim mes tavaneve buxhetore të dhëna nga ministria e Financave dhe kërkesat e këshillit. Totali i diferencës është 214 milionë lekë mes tavanit dhe kërkesës. Një pjesë e shtesave që propozohen në 2020 ka lidhje me shtimin e punonjësve në administratë. Ne kërkojmë që të kemi 4 sekretarë më shumë. Me logjikën e ligjit katër komisionet, prandaj duhet të kryejnë funksionin në mënyrë optimale dhe prandaj duhen dhe katër sekretaret. Një shtesë tjetër ka të bëjë me numrin e shoferëve pranë KLP. Kemi vetëm 7 shoferë. Gjatë këtij viti kemi pasur rastin të diskutojmë për statusin e KLP. Në këto kushte trajtimi i anëtarëve për transport duhet të zgjidhet. Si për KLGJ duhet të bëhet dhe për KLP. Duam dhe 6 shoferë. Specialistin e IT-se, kemi vetëm një të tillë. Na duhet dhe një tjetër” tha Ibrahimi.

Bashkim Fino, relatori i buxhetit  e kundërshtoi këtë kërkesë të KLP duke e cilësuar absurde . “Ju keni 7 shoferë dhe kjo është absurde, që të kërkoni rritjen e numrit të shoferëve dhe sekretarëve. Është gjynah të ulim nivelin e bisedës për buxhetin. Buxheti për KLP është 73% më shumë” tha Fino.

Edhe kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami kërkoi rritje të fondit për sistemin audio dhe video, si dhe gjeneratorët për fillimin e aktiviteti tek godina e re “Poli i Drejtësisë”, por edhe për shpenzime operative.

“Kërkojmë 28 milionë lekë për të përballuar shpenzimet për fillimin e aktivitetit te godina e re, sistemi audio dhe video dhe gjeneratorët. Kërkojmë të na miratoni 60 milionë lekë për shpenzime operative, 40 milionë lekë investime për gjykatat dhe 100 milionë lekë në investime për menaxhimin elektronik dhe shtesën për KED-në” tha Llagami.

Nga ana tjetër, Fino vlerësoi analizën që Llagami i bëri buxhetit të KLGJ, por tha se e ka të pamundur  plotësimin e të gjithë kërkesave. Fino pasi paraqiti buxhetin për këtë institucion për vitin 2020 tha se qeveria është treguar dorëlëshuar me gjyqësorin.

“Ngela i befasuar nga ekspozeja shkatërruese e kryetares së KLGj-së, por është buxheti i parë dhe do ta prisja. Bëri një analizë që do ta kisha zili. Më lejoni të them që në relacion keni projektbuxhetin në total të KLGJ-së, i KLGJ-së dhe gjykatave. Unë mendoj se qeveria e gjyqësorit që janë këta kërkon fonde si do të trajtohet veprimtaria e tyre gjatë 2020. Qeveria e madhe është treguar koherente dhe dorëlëshuar në të gjitha shifrat që do të them më poshtë. Nuk mund të plotësohen të gjitha kërkesat, por të KLGJ-së janë plotësuar. Afro 50% më shumë do të jetë buxheti se vitin e kaluar. Totali i investime krahasuar me 2019 është 40.7%. Ju keni lekë për t’i harxhuar, 150 milionë lekë të reja për dy muajt e fundit, vetëm për shpenzime, se ato janë të shpërndara njëlloj. Gjithashtu u shtohen 100 punonjës” tha Fino.

Alushaj në Apel, drejt zhbllokimit gara për Kryeprokuror

Gjykata Administrative e Apelit shqyrton këtë të premte ankimimin e kandidatit për kryeprokuror Lulzim Alushaj. Ai u skualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në garën për  Kryeprokuror, me arsyetimin se nuk plotësonte 15 vite punë si jurist i spikatur. Por, Alushaj deklaroi të premten në Gjykatën Administrative të Apelit se i plotësonte kushtet e kërkuara nga KLP.

Sipas Alushaj, diploma e tij është lëshuar në 15 qershor të vitit 2004, duke pretenduar se plotëson 15 vite përvojë pune si jurist i spikatur. Gjithashtu, ai akuzoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë se veproi me dy standarde në rastin e tij. Alushaj u shpreh se KLP duhet të skualifikonte nga gara kandidatin Olsian Çela, që sipas tij ende nuk kishte kaluar vettingun.

Gjithashtu, Lulzim Alushaj mësohet të ketë kërkuar nga kryesuesi i seancës në gjykatë, Kastriot Selita, që ta quajë të paligjshme garën për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas Alushaj, KLP nuk ka respektuar ligjin për zhvillimin e garës. Ndërkohë, pala e paditur, KLP është shprehur në gjykatë se kandidati Olsian Çela ishte në proces rivlerësimi dhe ligji për garën për Prokurorin e Përgjithshëm nuk e pengon një kandidat prokuror që të kandidojë.

Tashmë pritet që Gjykata Administrative e Apelit të japë vendimin përfundimtar për Lulzim Alushajn. Aktualisht në garën për Prokurorin e Përgjithshëm janë Arta Marku, që drejton përkohësisht akuzën, prokurori i Krimeve të Rënda  Olsjan Çela dhe prokurorja e Apelit në Tiranë Fajtona Memçaj. Vendimi përfundimtar i Gjykatës Administrative të Apelit për Alushajn do të zhbllokojë garën për Kryeprokuror, pasi i hap rrugën KLP-së që të vijojë më tej me kandidatët e mbetur në garë.

Negociatat, kreu i KLP lobon në Holandë

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Holandë. Qëllimi i vizitës së tij në Holandë, është informimi i qeverisë së këtij vendi në prag të marrjes së dritës jeshile për negociatat. Holanda është një nga vendet skeptike lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo kërkon zbatimin e Reformës së Drejtësi dhe ndëshkimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta. Ibrahimi takoi në Holandë drejtorin e Qendrës për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar në Hagë, Willem van Neuwkerk.

Ibrahimi dhe Van Newkerk nënvizuan nevojën për veprim të menjëhershëm dhe efikas në implementimin e Reformës në Drejtësi me ngritjen e Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Willem van Neuwkerk, i shprehu Gent Ibrahimit qëndrimin se Holanda pret rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, konfiskimi i aseteve me burim të paligjshëm dhe vendosja para drejtësisë së personave të inkriminuar.

Duke e informuar zyrtarin holandez për punën e bërë deri tani, Ibrahimi është shprehur  se hapja e negociatave do të “ishte një garant se reforma po ecën në drejtimin e duhur dhe Shqipëria ka nevojë për ekspertizën dhe mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar gjatë këtij procesi”. Gjatë qëndrimit në Hagë, Gent Ibrahimi pritet të takohet me Prokurorin e Përgjithshëm të Mbretërisë së Holandës, Gerrit van der Brug dhe Presidentin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit të Mbretërisë së Holandës, Henk Navis.

Në 4 tetor, zgjidhet anëtari i KLP. Dy prokurorë në garë

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku njoftoi të enjten, se në datën 4 tetor, do të zhvillohet mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve, ku do të zgjidhet anëtari i ri i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas shkarkimit të ish-prokurorit Gentian Osmani që u shkarkua nga Vettingu. Vendimi i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, vjen pas përfundimit të përzgjedhjes së kandidaturave nga radhët e prokurorëve, që do të synojnë të bëhen pjesë e “qeverisë së prokurorisë”.

Në mbledhje janë thirrur të marrin pjesë të gjithë prokurorët, duke përjashtuar vetëm prokurorët që për arsye objektive nuk mund të jenë të pranishëm. Dy kandidatët që do të synojnë të zënë vendin e Gentian Osmanit në KLP, janë prokurorët Vladimir Mara dhe Esmeralda Keshi (Cami).

Për prokurorin e Krimeve të Rënda Vladimir Mara, Prokuroria e Përgjithshme shprehet se është vlerësuar “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të etikës dhe veprimtarisë profesionale. Nuk ka qenë i dënuar, nuk ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Për këto dhe të tjera arsye, Prokuroria e Përgjithshme shprehet se “Vladimir Mara, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë për Krimet e Rënda, polotëson kushtet ligjore për të kandiduar si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë”.

Edhe kandidatja Esmeralda Keshi (Cami) ka kaluar të gjithë kriteret e vendosura nga KLP për t`u zgjedhur si anëtare e këtij institucioni. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, institucioni që ka bërë vlerësimin e kandidatëve nga radhët e prokurorisë, prokurorja Esmeralda Cani, që aktualisht ushtron detyrën në Prokurorinë e Dibrës, ka vlerësim “shumë të mirë” të etikës profesionale, dhe plotësn të gjitha kriteret e kërkaura. Për këtë arsye, ajo së bashku me Vladimir Marën, propozohet për të zënë vendin vakant në KLP, të cilin më herët e mbante ish-kolegu i tyre Gentian Osmani. /Realstory.al/

Vakanca në KLP, i jepet “Ok” dy kandidatëve

Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar dy kandidatët Esmeralda Keshi (Cami) dhe Vladimir Mara për të garuar si anëtarë në vakancën e krijuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Vakanca u krijua pas shkarkimit nga detyra të prokurorit Gentian Osmani, i cili nuk kaloi dot testin e Vettingut.

Sipas relacionit të dy kandidatët Vladimir Mara, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranës dhe Esmaralda Keshi, prokurore në Prokurorinë e Dibrës, janë të përshtatshëm për të garuar si anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Emrat e Vladimir Marës dhe Esmeralda Keshit i janë dërguar kryeprokurores Arta Marku si të përshtatshëm për të garuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, e cila aktualisht funksionon me 10 anëtarë nga 11 që duhet të ketë. Gentian Osmani u shkarkua nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelit, edhe pse e kishte kaluar shkallën e parë të vettingut, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në 2018.

Shkarkimi i tij u bë pas ankimimit nga Komisioneri Publik sipas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, se ai nuk justifikonte pasurinë.

Lexo këtu relacionin e plotë

Të hënën, kandidatët për kryeprokuror. Emrat në garë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet ditën e hënë, ku do të miratojë listën e kandidatëve për Prokurorin e ri të Përgjithshëm.

KLP ka njoftuar se mbledhja do të nisë në orën 12:00. Të pranishëm në këtë seancë do të jenë përfaqësues të EURALIUS, OPDAT dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Aktualisht në postin e kryeprokurorit është Arta Marku, e cila ka aplikuar për të kandiduar sërish.

Ndërsa në garë janë edhe Lulzim Alushaj, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Olsian Çela mbahet mend si prokurori që çoi në qeli dy kolumbianë dhe ish-nipin e diktatorit Enver Hoxha, në atë që njihet si dosja “Xibraka”. Çështja përfshiu edhe shumë emra të tjerë si të implikuar në përpunimin dhe trafikimin e heroinës në territorin shqiptar. Çela u vlerësua me notën maksimale nga komisioni i vetting-ut në dy shkallët e tij.

Fatjona Memçaj përfundoi shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në universitetin Middlesex Londër. Njihet si prokurorja që dënoi në Apel Kastriot Ismailin. Gjithashtu, ajo njihet dhe si një nga prokuroret e përkrahura nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Lektorja i kaloi dy shkallët e vetting-ut me sukses, pa u kapur në shkelje pas hetimit të 5 çështjeve dhe pasurisë së vënë ndër vite.

Emri i avokatit Lulzim Alushaj është një prej atyre që lakohet fort në qarqe të Drejtësisë. Alushaj 14 vite më parë arriti të marrë titullin profesional “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Itali, ndërsa mban edhe gradën doktor i shkencave juridike, kualifikim të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në Napoli të Italisë.

Por që të katërt në garë do të merren në shqyrtim nga KLP që do të bëjë vlerësimin e tyre, duke i dhënë fund kohës së prokurores së përkohshme, Arta Marku, e cila ka qenë në qendër të akuzave të opozitës, me pretendimin se ajo është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës.

Pas vlerësimit të kandidatëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të emëruar si Prokuror të Përgjithshëm kandidatët e renditur sipas listës. Propozimi përfshin vendimin e arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë./realstory.al

KLP nis vettingun për kancelarët në prokurori, 8 të parët

Me vettingun nuk do të përballen vetëm prokurorë e gjyqtarë që kanë bërë drejtësinë në gjithë këto vite demokraci, por edhe kancelarët e prokurorive. Këto ndryshime ligjore janë parashikuar në paketën e Reformës në Drejtësi dhe janë pjesë e masave për të parandaluar korrupsionin në të gjitha nivelet e organeve qeverisëse.

Kancelarët e prokurorive, në ndryshim nga prokurorë e gjyqtarë, nuk do të dalin përballë trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ndërkombëtarëve të ONM, por do të shqyrtohen nga vetë KLP me një trup të caktuar që do të vendosi ky organ.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është një nga organet e reja të dala si rezultat i Reformës në Drejtësi dhe ka si detyrë të tij parësore emërimin e prokurorëve e të gjitha niveleve duke përfshirë edhe SPAK si dhe propozon në Kuvend kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm. KLP emëron prokurorët në detyrë pasi ato kanë kaluar të dy fazat e vettingut, por në rastin e kancelarëve të prokurorive do e bëjë vetë vettingun e tyre, për të verifikuar pasurinë, figurën dhe formimin profesional.

KLP do të shqyrtojë 8 kancelarë, që pritet të kalojnë “sitën” e vettingut sipas Report TV, ndërsa është në pritje të informacionit të plotë të marrë edhe nga institucionet e tjera si,  ILDKPI, Tatime, SHISH, Dogana, DSIK për një hetim të saktë të kancelarëve. Konkretisht në procesin e verifikimit nga vettingu pritet të kalojnë:

Dhora Qirici, kancelare pranë Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda

Zamira Spahiu, kancelare e Prokurorisë së Apelit Tiranë

Rudina Shermadhi, kancelare e Prokurorisë së Apelit Durrës

Valentina Qoka, kancelare e Prokurorisë Tiranë.

Përparim Hoxha, kancelar i Prokurorisë Vlorës

Sotiraq Stratoberdha, kancelar i Prokurorisë Korçë

Alketa Kurmaku, kancelare Prokurorisë Elbasan

Laureta Binaj, kancelare pranë Krimeve të Rënda

Skip to toolbar