Nënkalimi tek ‘Shqiponja’, Veliaj: E nevojshme, por një pakicë zgjedh të bëjë zhurmë

AKTUALITET


Në një tryezë të përbashkët pune mes Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Drejtoreshën e Përgjithshme të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato dhe ekspertët e urbanistikës është prezantuar projekti për nënkalimin tek sheshi ‘Shqiponja’. Gjatë fjalës së tij Veliaj tha se projekti është një zgjidhje më miqësore me mjedisin dhe zhvillimin urban të zonës. Kryebashkiaku theksoi se nënkalimi do të zgjidh trafikun në këtë pjesë të qytetit dhe se një pakicë e vogël kërkon të bëjë zhurmë kot për të penguar zgjidhjen e problemit të shumicës së qytetarëve.

“Lajmi i mirë për dikë që jeton te Astiri dhe që nuk vesh uniforma politike, është se i ka rënë ‘bingo’. Pra, aty kalon nyja që në 10 vitet e ardhshme do të jetë nyja më nevralgjike, me më shumë prioritet për bizneset, për tregtinë, për vendosjen strategjike të çdo ndërtese dhe të çdo shërbimi në hyrje të Tiranës. Është fakt se sot shumë prej ish-protestuesve janë përfitues jo vetëm të Planeve të Detajuara Vendore, për të cilat kanë filluar kantieret e para. Pra, nga një vend komplet i humbur kaloi në një zonë ku jo vetëm merr vlerë, ku një pronar real i atij komuniteti sot do të përfitojë më shumë prej këtij zhvillimi se çfarë përfitonte nga teneqet, zaptimi, kasollet dhe të gjithë improvizimet që ndodhin në këtë territor. Sigurisht, për ata që janë pa asnjë pronë, pa asnjë të ardhur, pa asnjë letër, kemi filluar një trajtim social. Kemi sot familje që jetojnë shumë herë më mirë te banesat sociale, që i kanë me letra dhe që i kanë me gjithë rregullat e shtetit, krahasuar me çfarë i kemi gjetur mbi pusetat dhe kolektorët tek zona e Astirit. Unaza do bëhet, do bëhet me cilësi, do bëhet brenda kostos, do bëhet në kohë rekord, dhe besoj që për Tiranën dhe Shqipërinë që e sheh Tiranën si një kryeqendër ku mbaron edhe punët e veta, është një lajm i jashtëzakonshëm. Ky është momenti ideal që të ndajmë mendjen për investimin që do të bëjmë tek “Shqiponja”, ku falë kontributit të Ministrisë së Transporteve qyteti do të trashëgojë dhe do të marrë si pajë një nga investimet që ndodh një herë në 100 vjet. Ndaj, nuk kemi kohë të lejojmë që një minorancë e zhurmshme partiake të pengojë shumicën e qytetit që do të lëvizë apo edhe shumicën e banorëve aty që, në fund fare, duan zgjidhje.” tha Veliaj


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vlerësoi se ky projekt do të zgjidh trafikun që krijohej në hyrje të qytetit.

“Tiranës nuk i shkon që të ketë një barrikadë në hyrje të saj. Ne jemi një kryeqytet që kemi hapur dyert dhe kërkojmë të ftojmë të gjithë ata që jetojnë jashtë Tiranës apo jashtë vendit, dhe barrikadat e betonit kanë vite që nuk na shkojnë. E parë në syrin e një qytetari që jeton në këtë qytet, që rrit fëmijë në këtë qytet, ky që propozojmë sot është një projekt që i shkon qytetit tim, ku unë jam lindur e rritur, ku rris fëmijët e mi, ku dua të ketë sipërfaqe të gjelbra, por edhe zgjidhje teknike për automjetet që do të vijnë, duke shtuar korsi për biçikletat dhe këmbësorët” u shpreh Balluku.




Skip to toolbar