Nëse vërtetohen akuzat, PS kërkon dënim maksimal për Allën

AKTUALITET


Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se nëse SPAK do të vërtetojë akuzat për kryebashkiakun e Bulqizës, PS do të kërkojë dënimin maksimal për të. Balla tha se PS nuk është bërë dhe s’ka për t’u bërë mburojë për askënd, por do të pritet vendimi i drejtësisë.

“Prej 18 dhjetorit 2019 kur ka nisur punën SPAK, subjekt i së cilës janë nga Presidenti përfshi deputetët, duhet të kuptojmë të gjithë që duhet të pranojmë një standard tjetër nga ai që është sot. Asnjëherë më parë nuk ka patur hetim kaq shpejt. Përshëndes SPAK për nisjen e hetimit, në asnjë rast PS nuk ka marrë e nuk ka për të marrë kurrë në mbrojtje askënd,

Nuk i di pistat që po heton prokuroria, por dua ta mbështes atë, dhe mezi presim që sapo të ketë akuza të caktuara reagimi ynë do jetë i ashpër. Sikurse çdo qytetar ndjejmë neveri nëse vërtetohet, por po ashtu ndjejmë neveri kur parti të caktuara përdorin video montazhe për të dëmtuar krahun tjetër. Ia lemë prokurorisë, në rast se vërteton çdo lloj akuze, dënimi do jetë maksimal për këdo”, tha Balla.

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla akuzohet se ka konsumuar kokainë në një lokal dhe pamjet ku dyshohet se shfaqet ai janë konfiskuar nga SPAK dhe po i nënshtrohen hetimeve.

Lidhur me akuzat e PD-së për kreun e Vaut të Dejës se ka fshehur dënimin me burg në Itali, Taulant Balla tha që prej 6 muajsh nuk është vërtetuar asnjë akuzë ndaj tij.

“PD ka akuzuar kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës dhe prej 6 muajsh nuk është vërtetuar asnjë akuzë. Ju thatë 5, mund të ketë edhe 55, por tani kemi organet e drejtësisë për t’i shkuar deri në fund. Rast i djeshëm është një rast për të vërtetuar se çështjeve nuk mbyllen me një akuzë politike. Ajo që duam ne është se nëse vërtetohen akuzat është që dënimi të jetë i ashpër”, – tha Balla.



Skip to toolbar