Ish deputeti i PD-së, analisti Preç Zogaj ndërsa ka komentuar raportin më të fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit është shprehur se nëse këto zgjedhje do të ishin anti demokratike, OSBE nuk do të pranonte të vinte në Shqipëri dhe t’i monitoronte. Fakti se opozita i bojkotoi dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit u pranua që në krye të herës si nga OSBE ashtu edhe nga SHBA dhe BE dhe ata pranuan që zgjedhjet të zhvilloheshin.
Zogaj gjithashtu thekson se raporti i OSBE ka kritika për të dy kampet e politikës, si për PS-në ashtu edhe për PD-në.
“Është një raport ku të gjitha palët gjejnë diçka në favor të tyre, sepse vetë raporti është kompleks. Në një farë mënyre ka gjithmonë diçka për të gjitha. Dallim nga raportet e tjera është fakti se ky është një raport që shkruan për një palë zgjedhje që s’kanë ndodhur kurrë në Shqipëri pa pjesëmarrjen e opozitës kryesore. Është anormale që zgjedhjet te jenë pa konkurrencë, por u pranuan si të tilla. Përtej kësaj nuk më duket se ka ndonjë gjë shumë të madhe. Një gjë nuk shkon OSBE po të ishte se i konsideron anti demokratike zgjedhjet pa konkurrencë për shkak të mos pjesëmarrjes së opozitës nuk do i kishte vëzhguar. Por fakti se vetë OSBE u bashkua me SHBA dhe BE dhe pranuan për t’i bërë votimet e 30 qershorit, e mbyll këtë diskutim.
Nëse ata do niseshin se këto zgjedhje janë anti demokratike ata nuk do i vazhdonin, por do i rrëzonin që në krye të herës”, është shprehur Zogaj për A2Cnn.
Raporti përfundimtar i OSBE për zgjedhjet e 30 qershorit theksoi se procesi zgjedhor u zhvillua i rregullt në mbi 95% të qendrave të votimit. Raporti konstatoi disa parregullsi dhe faktin se opozita jo vetëm që nuk mori pjesë në zgjedhje por edhe pati sjellje vandale dhe dhune në ditët para 30 qershorit. OSBE i rekomandoi politikës shqiptare bashkëpunim dhe dialog për realizimin e reformës zgjedhore.