Nesër festohet Kurban Bajrami! Uron kreu i KMSH

AKTUALITET


Nesër për besimtarët mysliman është një ditë e rëndësishme, pasi festojnë Kurban Bajramin, festën e Flijimit.

E në këtë ditë të rëndësishme, kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu ka pasur një urim për të gjithë shqiptarët.


“Të dashur besimtar myslimanë dhe shqiptarë kudo që ndodheni. Nesër në Shqipëri dhe mbarë botën myslimanët kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë.

Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Është pjesë e gjithë shoqërisë. Ata që kanë mundësi presin kurban dhe shpërndajnë për çdo njeri e familje në nevojë, e kjo e bën këtë festë që të futet në çdo shtëpi. Të gjithë e ndiejnë atmosferën dhe solidaritetin e kësaj feste.

Kjo festë, që u bë simbol i sakrificës dhe durimit, është sakrifica që bëri profeti Ibrahim (a.s.) dhe durimi që tregoi profeti Ismail (a.s.), të dyja në emër të dashurisë për Zotin dhe bindjes ndaj madhështisë së Tij. Zoti e do njeriun dhe e ka cilësuar si krijesën e tij të arrirë, e qëllimi nuk ishte flijimi, por sprova, e cila ndodhi për të na shërbyer edhe ne si shembull reflektimi e devocioni.

Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na mundësojë ta kalojmë sa më mirë këtë festë. I lutem Zotit që t’u pranojë haxhin mbi 800 haxhinjve shqiptar të cilët sot ndodhen në haxh, e pikërisht në Malin Arafat, vendin e shenjtë për myslimanët. I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më!

T’u japë shërim dhe t’u lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri! Për më të varfërit dhe nevojtarët shoqërisë tonë, O Zot lehtësoua shqetësimet që sjell varfëria. O Zot bëje rininë tonë të hajrit dhe të qëndrueshme në anën e së mirës.

I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithësecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë. Edhe njëherë ju uroj Gëzuar Kurban Bajramin me urimet më të përzemërta, në emrin tim personal dhe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë! Shëndet e mirësi për çdo familje shqiptare”, thuhet në urim.

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin. Kjo e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë. Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”.




Skip to toolbar