Nga 13 shtatori Greqia ashpërson masat antiCovid edhe për adoleshentët

CORONAVIRUS



Ditën e dytë të vitit të ri shkollor dhe vetëm 1 ditë pas hyrjes së fuqi të kufizimeve mbrojtëse kundër covid-19, Greqia ashpërson masat edhe për adoleshentët 12-17 vjeç. Ashtu si për të rriturit do të ndalohet hyrja apo qëndrimi në ambjente të brendshme si restorante, kafene, ambjente argëtimi, udhëtime nëpër zona të vendit me autobus, tren apo anije, pa vërtetim vaksinimi mbi 14 ditë ose vërtetim se kanë kaluar covid-19 me vlerë 180 ditë, apo rapid test të 48 orëve të fundit.

Nga 13 shtatori ky është kushti bazë në të gjithë vendin, ndërsa kategori të caktuara të sektorit shëndetësor nëse nuk kanë vërtetim vaksinimi apo nuk kanë kryer të paktën dozën e parë të vaksinës, janë larguar pa afat nga vendi i punës. Platforma elektronike për vaksinimin e moshave 12-17  është në dispozicion nga gushti 2021, por numri i të rinjve dhe adoleshentëve të vaksinuar mbetet i ulët, pavarësisht masave mbështetëse si dhurata 150 euro për pushime, 50 GB falas apo kontratë telefonike pa taksë mujore që ofroi qeveria greke. Ndërkohë që nuk është mirëpritur nga klinikat dhe qendrat shëndetësore as ulja e kostos së rapid test nga 20 euro në 10 euro, nga 13 shtatori.


Për fëmijët 5-11 vjeç bëhet gjithashtu kontroll i rreptë i self-test/një test i ngjashëm që bëhet në shtëpi dhe ofrohet falas nga shteti me numrin personal në çdo farmaci. Për muajin shtator, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, e vetmja kategori që pajiset me teste të llojit self-test sivjet krejtësisht falas, u ofruan 6 teste për secilin.

Me rapid test dy herë në javë, duke mbuluar vetë koston e 20 eurove në javë detyrohen nga dje të gjithë qytetarët e vendit që nuk janë vaksinuar apo nuk kanë kaluar covid-19, përfshi edhe studentët, për hyrjen si në auditoret e universiteteve  shtetërore ashtu dhe në ato private.