Kryetari i PD-së, Basha i kërkon sërish qeverisë të plotësojë 5 propozimet e tij për t’i ardhur në ndihmë biznesit të prekur nga tërmeti në Durrës. Basha thotë se 5 propozimet e tij mundësojnë ringritjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti. Këtë deklaratë Basha e ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me pronarë dhe punonjës fasonerie të një punishte përpunimi qumështi.
Sipas kreut të PD-së, ata i kanë shprehur shqetësimin e tyre se situata po i çon drejt falimentimit. “Shumë punonjës ende nuk janë rikthyer në punë pasi janë detyruar të strehohen larg vendbanimit të tyre në pamundësi të përballimit të kostove të një shtëpie me qera apo të jetojne në çadra.
Deri tani nuk kanë marrë asnjë bonus qeraje, ndërsa i sorollasin nga njëra zyrë në tjetrën. Bizneset nuk kanë patur asnjë mbështetje nga shteti për dëmet e shkaktuara ndërkohe që duhet të paguajnë taksat e rritura dhe fuqia blerëse është në nivelet minimale.
Mosmarrja e masave të menjëherëshme, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë”, shprehet kreu i PD-së.
Ai i kërkon qeverisë që të marrë masa të menjëhershme, ndërsa përsërit 5 propozimet e tij që përfshijnë shmangien e biznesit nga faturat e energjisë dhe ujit, dhe përjashtimin nga taksat vendore, si dhe pezullimin e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore.
“Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, shkruan Basha. Këto janë 5 propozime që kreu i PD-së i ka bërë edhe më herët duke thënë se do të ringrejnë biznesin në zonat e prekura nga tërmeti.