I vënë gjobë 21 mijë euro, dy të rinjtë kapen në momentin e marrjes së parave

AKTUALITET


Dy persona janë arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi i kanë vënë gjobë 21 mijë euro një personi nëpërmjet kërcënimit. Arrestimi i tyre është bërë në momentin që dy të rinjtë kanë shkuar për të marrë paratë, ndërkohë që pas verifikimit të tyre ka rezultuar se ata ishin me precedentë penalë.

Policia e Tiranës deklaroi se kapja e tyre u bë gjatë operacionit “Takimi”. Sipas të dhënave, specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas informacioneve të marra se dy shtetas i kishin vënë gjobë për dhënie parash një shtetasi dhe kishin lënë vendtakim për të marrë paratë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, duke përdorur edhe metodat proaktive “.


Si rezultat i operacionit, në afërsi të Fushës së Aviacionit, është bërë i mundur bllokimi i automjetit me të cilin qarkullonin dy shtetasit e dyshuar N. F. alias A. T., 37 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, i kërkuar në Itali, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër-arresti, për kryerjen e veprave penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafik droge”. Ndaj shtetasit G. G., i cili ishte me masë sigurie “Arrest shtëpie” kanë nisur procedurat nga drejtësia shqiptare për njësim vendimi.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kishin vënë gjobë një shtetasi dhe kishin lënë vendtakimi për të marrë paratë. Në momentin e ndalimit të mjetit nga Policia, mjet i pajisur me fenelina dhe sirenë policie, këta shtetas u kanë dhënë gjeneralitete të tjera shërbimeve të Policisë, por pasi janë shoqëruar në ambientet e Policisë dhe pas verifikimeve të kryera rezultoi se të dy këta shtetas ishin të shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. L. alias G. G., 43 vjeç, banues në Tiranë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një patentë të falsifikuar, dy karta italiane të falsifikuara, të cilat i përdorte ky shtetas për t’iu shmangur identifikimit nga Policia, si dhe një sasi parash. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i të dyve, të cilët akuzohen për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, në bashkëpunim”, “Përndjekja”, “Kanosja”, “Vetëgjyqësia” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.




Skip to toolbar