Avokati dhe analisti Spartak Ngjela, deklaratat e Presidentit se ‘Parlamenti nuk është i plotë…dhe vendi është në krizë përfaqësimi’, i quan ‘çoroditje’ të Metës. Me anë të një komenti në rrjetet sociale, Ngjela shkruan se kjo nuk është krizë përfaqësimi, por sakrificë përfaqësimi për të ndëshkuar të korruptuarit.
“Çoroditja e Metës, vazhdon ta kthejë mbrojtjen e tij në fajësi…Meta deklaroi se “Parlamenti nuk është i plotë… kjo është krizë përfaqësimi”. Jo, zoti Meta, kjo nuk është krizë përfaqësimi, është sakrificë në përfaqësim, për të ndëshkuar të korruptuarit. Largimi i deputetëve PD dhe LSI, dhe futja në Parlament e deputetëve zëvendësues me arsye krejt e krejt ligjore nuk dha krizë, por sukses për Reformën në Drejtësi. Ky ishte sukses historik, sepse sot shqiptarët janë mu në prag të shpëtimit: në Shqipëri tani posa ka filluar antikorrupsioni si proces”, shkruan Ngjela.
Më tej, Sparak Ngjela komenton edhe deklaratat e Metës, ku u shpreh se kishte informacion se ‘do të digjej Parlamenti”, Ngjela shprehet se Meta gënjen. Ai ngre disa pyetje për Ilir Metën, duke arritur në konkluzionin se Meta është kundër Reformës në Drejtësi.
“Meta tha gjithashtu që “jam shtyrë për të zhvendosur me dekret datën e zgjedhjeve të dekretuara, sepse kisha të dhëna se do të digjej Parlamenti “. Nuk është profesionist prandaj gënjen, duke rënduar veten. Për këtë rast, pyetjet enigmë janë këto: Po mirë, ky President, nuk ka qenë fare në gjendje ta ndalonte djegien e mundshme të Parlamentit me forcën e shtetit?”.
“Po mirë, nuk mundej ky President të lajmëronte kryeministrin e ti kërkonte atij shpalljen e masave drastike: nga ndalimi i protestës e deri te vendosja e pjesëshme e gjendjes së jashtëzakonshme? Pse nuk ka bërë Meta asnjë nga këto? Sepse ka pritur djegien, domethënë destabilizimin e Shqipërisë, ngaqë vetë rrezikohet nga Reforma në Drejtësi kur të fillojë procesi antikorrupsion. Domethënë, Meta është kundër reformës? Sigurisht. Këtu ka qenë e gjithë loja e tij antikombëtare…”, përfundon Ngjela.