Ngjela: Meta i pashpresë

AKTUALITET


Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar se kreu i shtetit, Ilir Meta pas shpresave që kishte varur te Venecia, tashmë do të presë për shkarkimin edhe Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që është treguar dhe më kritik ndaj tij, duke kërkuar ndjekje penale.

Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në studion e Ditari në A2, deklaroi se Presidenti Ilir Meta ka kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës me zhdekretimin e zgjedhjeve dhe, sipas tij, raporti paraprak i Venecias nuk i lë më shpresë.

“Ai i Presidentit ishte akt administrativ i pavlefshëm. Atë e tha KQZ-ja, institucioni të cilit i shkoi dekreti. Në rast se KQZ do të zbatonte një dekret të pavlefshëm, do të shkonte në burg. Moszbatimi i ligjit ka nen të veçantë në Kodin Penal, kështu që Presidenti pse nuk e çoi KQZ-në në Prokurori? Sepse e dinte se dekreti i tij ishte i pavlefshëm”, tha Ngjela.

Kur iu vu në dukje se raporti thekson se shkeljet “mund të mos kenë qenë aq të rënda sa për shkarkimin e Presidentit”, Ngjela tha se këtë gjë e vendos vetëm Gjykata Kushtetuese. Sipas Ngjelës, nëse Presidenti do të ndiqet penalisht është shenjë e mirë për historinë e Shqipërisë, pasi kjo tregon që po fillon të funksionojë pushteti gjyqësor”.

“Shkelje e lehtë apo e rëndë e vendos gjykata dhe ata e kanë përmendur këtë gjë në raport. Komisioni, Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese do të thonë të vetën. Shkelja është e rëndë, Presidenti nuk ka më shpresë. Shpresa e fundit e tij ishte Venecia. Ata e thanë: “në rast se do të eliminoheshin zgjedhjet se nuk hyri njëri, atëherë nuk do të kishte kurrë zgjedhje”. Data 30 Qershor ishte domosdoshmëri dhe largimi nga zgjedhjet i njërës palë nuk anulon zgjedhjet. Është ende me paterica, por Gjykata e re Kushtetuese që del ka aktin e parë të saj atë me Presidentin. Aty do të shikojmë se si po ecën Shqipëria. Pas shkarkimit, Meta do të presë Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk vjen, atëherë qëndron në detyrë si President”, shpjegoi Ngjela.



Skip to toolbar