Ngricat dhe dëbora, Balluku inspekton aksin Korçë-Ersekë: Jemi në gatishmëri

AKTUALITET


Ulja e temperaturave ditët e fundit shkaktoi vështirësi në qarkullimin e mjeteve në disa rrugë të vendit, por nuk u bllokuan totalisht. Rreth 1 mijë punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe firmave kontraktore janë në gatishmëri për të përballuar situatat e emergjencës nga moti i keq në ditët në vijim. Ndërkohë, gjatë ditës së martë, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku inspektoi një nga akset rrugore ku ditët e fundit pati probleme në qarkullimin e mjeteve për shkak të reshjeve të dëborës dhe ngricave. Ministrja ishte në aksin rrugor Korçë-Ersekë, nga ku deklaroi se gjithçka është nën kontroll.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar, së bashku me gjithë nënkontraktorët janë në gatishmëri të plotë 24 orë në 24. Jemi në sezon dimri dhe presim që të kemi dhe përkeqësim të motit në javën e fundit të janarit apo dhe gjatë shkurtit, ndaj duam që të shprehim gatishmërinë tonë. Gjithçka është nën kontroll, asnjë nga akset nuk është bllokuar, as akset e veriut, të cilat kanë pasur pak a shumë të njëjtën problematikë, por sigurisht dhe ato të verilindjes që janë dhe akset me problematikën më të shtuar”, u shpreh ministrja Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë falenderoi punonjësit e angazhuar për të menaxhuar këtë situatë, të cilët ishin në terren, pavarësisht festave dhe kushteve të vështira atmosferike. “Duhet vlerësuar gadishmëria e këtyre punonjësve. Unë dua t’i falënderoj pasi përveçse është dimër, kanë qenë ditë festash dhe u është dashur që të lenë familjet e tyre, të dalin jashtë nga shtëpitë e ngrohta, për t’u kujdesur për akset rrugore shqiptare dhe për t’i ofruar të gjithë qytetarëve tanë një shërbim të pandërprerë”, nënvizoi Balluku.

Për drejtorin e ARRSH i rëndësishëm është edhe mentaliteti i krijuar nga ana e kompanive nënkontraktore, të cilët tashmë janë profilizuar në këtë drejtim duke marrë paraprakisht të gjitha masat e nevojshme. “Ajo që është më e rëndësishme për Autoritetin Rrugor, është se mentaliteti për mirëmbajtjen është rritur dhe gjithë nënkontraktorët janë profilizuar tashmë, duke pasur plane te përcaktuara më përpara sesi duhet të veprojnë. Janë angazhuar mbi 500 automjete, borëpastruese, fadroma, kamionë në dispozicion dhe 3 mijë tonë kripë. Mbi 800 punonjës janë në territorin e Shqipërisë që punojnë për mirëmbajtjen nga kontraktorët dhe mbi 200 të tjerë janë të ARRSH nëpër rrugë të cilët monitorojnë situatën hap pas hapi”, bëri të ditur Verdho.



Skip to toolbar