Prokuroria speciale kundër korrupsion pritet të jetë funksionale shumë shpejt, dhe krahas saj qeveria ka hartuar një plan dhe ka bërë gati njësinë speciale policore që do të merret me goditjen e krimit dhe korrupsionit në terren.
Ka qenë zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili gjatë një prononcimi për mediat deklaroi se goditja e krimit dhe e korrupsionit në vend do të ecë sipas kontekstit aktual politik, pra do të ecë paralel me reformën në drejtësi. Në këtë kontekst, Lamallari tha se me ngritjen e SPAK do të dobësohet ndjeshëm krimi i organizuar. “Konkretisht edhe ngritja e organeve përkatëse që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend pra SPAK dhe BKH, si dhe reflekton edhe rezultatet e arritura deri tani në luftën kundër grupeve kriminale”, deklaroi numri dy i Ministrisë së Brendshme. Më tej, Lamallari theksoi se plan i ri i veprimit në luftën kundër krimit të organizuar do të rrisë forcën goditëse të policisë ndaj këtyre fenomeneve. “Përfshin rritjen e numrit të hetimeve proaktive, përdorimin e metodave speciale në luftën kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të paligjshme kriminale. Dobësimin e pushtetit ekonomik të rrjeteve kriminale. Modernizmin e kapaciteteve të policisë shkencore. Rritjen e kapaciteteve dhe bërjen më efektive të strukturave kundër krimit ekonomik”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Lamallari theksoi se rol të rëndësishëm në luftën që qeveria i ka shpallur krimit, pritet të japë edhe njësia e re speciale e policisë, e cila së shpejti sipas tij, do të hidhet në aksion për të kapur personat e shpallur në kërkim. “Ne shpresojmë që brenda këtij muaji ta prezantojmë në rrjetin ENFAST dhe të marrim edhe rolin tonë krahas agjencive homologe për kapjen e personave më të rrezikshëm, qofshin në kërkim kombëtar apo ndërkombëtar. Nëpërmjet këtij plani të ri veprimi, do të bëhet i mundur edhe shkëmbimi automatik i të dhënave me 12 vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe Evropës Juglindore. Ky shkëmbim përfshin gjurmët e gishtave, të dhënat e automjeteve dhe profileve të ADN-së”, nënvizoi zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Ngritja e SPAK është deklaruar se do të jetë gati në fund të muajit shtator, ndërsa në tetor pritet të hapen dosjet e para të zyrtarëve të korruptuar, apo të lidhur me krimin./realstory.al