Policët: Tre ndër 1000, kalojnë testin

AKTUALITET


Pothuajse gjysma e kandidatëve nga 2120 veta në total për 500 pranime në polici janë testuar të mërkurën në Pallatin e Kongreseve, por rezultati ka qenë zhgënjyes, pasi vetëm 3 prej tyre kanë arritur të marrin pikët e nevojshme për të kaluar në fazat e tjera. Konkretisht 997 veta janë paraqitur për testim, ku rezultatet kanë qenë tepër të dobëta, pasi vetëm tre të kualifikuarit kanë arritur të mbledhin pikët miminale për të vijuar garën 70 nga 100 pikë që janë në total. Kjo ka ngritur pikëpyetje për autoritetet policore, nëse kjo vjen për shkak të nivelit të dobët të kandidatëve që aplikojnë për policë, apo për shkak të vështirësisë së pyetjeve.

Alarmi është edhe më i madh kur vëren se kandidatët vinin nga qarqe të mëdha, si Tirana, Berati, Durrësi dhe Fieri, ndërkohë që testimi vazhdon ende për aplikantët e qarqeve Gjirokastër, Vlorë, Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Kukës, dhe Dibër, ku në total janë edhe 1150 aplikantë që presin përgjigjet për të fituar të drejtën që të vijojnë garën për 500 vende në Patrullën e Përgjithshme.


Sipas të dhënave, në gjithë historinë e testimeve, nuk ka pasur asnjëherë nivel kaq të ulët të mbledhjes së pikëve, ku më i larti ka arritur të mbledhë vetëm 71 pikë nga 100 të mundshme, pra një pikë sipas nivelit dysheme, megjithëse shpresohet që ky rezultat të përmirësohet nga qarqet e tjera.

Testi përbehej nga 100 pyetje (100 pikë) dhe për tu shpallur fitues duhen grumbulluar minimalit 70 përgjigje të sakta. Nisur nga praktikat e viteve të kaluara, në rast se nuk ka mjaftueshëm fitues me 70 pikë, atëherë do të ulet pragu i pikëve minimale. Megjithatë, nuk dihet nëse kjo praktikë do të ndiqet në rast se numri i fituesve është shumë i ulët krahasuar me 500 vendet vakante. Ndërkohë, interesimi për punonjës policie duket se nuk ka munguar dhe që gjatë muajve të verës janë bërë disa thirrje nga ana e Policisë së Shtetit.




Skip to toolbar