Një BE në miniaturë? Takimi ballkanik në Ohër

AKTUALITET


Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të vështirë të bashkëpunojnë ekonomikisht. Dogana, infrastruktura e keqe, tensionet politike mes fqinjëve e bllokojnë tregun. Kjo pritet të ndryshojë në takimin e Ohrit.

Mrekullitë kërkojnë kohën e tyre, kjo të vjen ndërmend, kur ndjek në media, se çfarë duan të bëjnë tre krerë shtetesh të Ballkanit këto ditë. Vetëm pak javë më parë, BE me veton franceze refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Dhe pikërisht tani, kur shtohen paralajmërimet për tensione të reja në këtë rajon, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut me shumë gjasa po ecin me hapa të shpejtë drejt një ujdie të mrekullueshme…

Për vite me radhë ishte Brukseli, që nxiste për bashkëpunim më të ngushtë vendet e Ballkanit. Por pikërisht tani, kur Brukseli zor se i josh më këto vende me shpresat e anëtarësimit, papritur funksionon. Në Ohër në Maqedoninë e Veriut zhvillohet takimi i dytë rajonal (10-11.11) brenda një muaji. Jo vetëm këto të tre vende duket se e durojnë mirë njëra-tjetrën. Ato ftojnë shprehimisht edhe tre shtetet e tjera të mbetura jashtë, të bashkohen, për habi, edhe Kosovën. Çfarë po ndodh?

100 % dogana për produktet

Kooperimi ose “Konektiviteti”, siç e quajnë ekspertët, është nevojë urgjente për Ballkanin. Maunet që kanë ngarkuar mallra nga një vend konkurrent qëndrojnë në kufi shpesh me ditë. Doganat dhe burokracitë i izolojnë tregjet shumë të vogla ballkanike nga fqinji. Të pakrahasueshme në botë janë doganat 100% që Kosova vendosi për Serbinë. Edhe për persona privatë udhëtimet në periudhën e verës janë të vështira. „Smena”- kjo është fjala frikësuese, ndërrimi i turnit në postblloqet kufitare, kur sërish asgjë nuk ecën përpara. Nga pikëpamja ekonomike kjo është fatale. Për investitorët vende të tilla me fuqi të vogël blerëse nuk janë aspak interesante, edhe si furnizues për tregje të huaja prapë ato nuk janë shumë konkurruese për shkak të procedurave torturuese.

Në garën në drejtim të BE-së, vendet e Ballkanit jo rrallë kanë dashur ta shtyjnë nga pista fqinjin. Tani, të paktën kështu duket, ata, duke i ofruar krahun tjetrit, duan të ecin bashkë përpara. Ishte fillimi i tetorit, kur në Novi Sadin serb, presidenti serb Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev formuluan së bashku qëllimin që të fusin në Ballkan „katër liritë”, siç janë të vlefshme edhe në BE: Lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe personave. „Një mini-Shengen”, siç e quan Vuçiq, do duhet të mundësojë udhëtimet pa pasaportë, vetëm me kartë identiteti. Këtë të dielë (10.11) këto ide do duhet të konkretizohen. Realitet do duhet të bëhen në vitin 2021.

“BE në miniaturë- ballkanike”?

Por Ballkani nuk do të quhej Ballkan, nëse problemet nuk do të fshihesin në detaj. Të tre miqtë e rinj me kufijtë e tyre rrethojnë një vend gati komplet – Kosovën. Udhëtimet pa pengesa nga „Serbia në Shqipëri”, siç parashikon Vuçiq, do të çonin në shumë rrugë tërthore për sa kohë që një shtet tjetër Kosova nuk është i përfshirë. Megjithë njoftimin e  tre krerëve të shteteve për „mini BE”-në ballkanike, shumë nga problemet janë ose të kontestuara shumë në dialogun që kanë zhvilluar Prishtina dhe Beogradi, ose të shkruara vetëm në letër, por të pazbatuara në praktikë: njohja e dyanshme e diplomave për shembull. Se si do duhet ta arrijnë këtë gjashtë shtete, kur as dy prej tyre nuk ia dalin dot, kjo nuk dihet.

Edhe unioni doganor i planifikuar, në vështrim të afërt, ndodhet para problemeve të patejkalueshme. Që para se Kosova të vendoste doganat astronomike për produket serbe, ekzistonte frika, se Serbia me fuqinë e saj më të madhe ekonomike, do ta shtypte biznesin e sapongritur në Kosovë. Albin Kurti, që pret të jetë kryeministri i ri i Kosovës, fitoi shumë vota me kërkesën për një bojkotim total të produkteve serbe. Mali i Zi më i pasur, nga ana tjetër i trembet konkurrencës së lirë serbe.

E paqartë po ashtu është se si do të pajtohet unioni doganor me marrëveshjet e tregtisë së lirë, që Serbia së fundmi ka lidhur me unionin doganor euroaziatik të Putinit. Do të zhhvillojnë vendet aziatike në të ardhmen tregti pa kufizime me Rusinë, Kirgizinë apo Armeninë? Si pajtohet kjo zonë e tregtisë së lirë euroaziatike me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që vendet e Ballkanit kanë nënshkruar me BE?

Problemi i pazgjidhur me emrin Kosovë

Bërthama e kësaj „BE-je ballkanike” është aksi i ri Tiranë-Beograd. Me inskenimin e një „pajtimi historik në mes të serbëve dhe shqiptarëve” para tre vjetësh, si presidenti serb, Vuçiq, edhe kryeministri Rama i krijuan vetes avantazhe. Të dyja vendet kanë pak probleme me njëra-tjetrën, dhe nuk kanë nevojë shumë për pajtim. Afrohen „serbët” dhe „shqiptarët” me njëri-tjetrin, përfshihet edhe problemi i pazgjidhur i Kosovës: Me Tiranën miqësore mund të negociohej më lehtë se me Prishtinën bllokuese. Rama, që nga ana e tij e sheh veten si president të të gjithë shqiptarëve, e merr me dëshirë këtë rol. Interesat e Kosovës kështu injorohen. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të bënte mirë të ishte pjesë e këtij mini-Shengeni. Sepse pas shuplakës nga BE, ai ka nevojë për një sukses të dukshëm në vendin e tij. Nga ana tjetër, ai duhet të ketë kujdes që Tirana dhe Beogradi të mos bien në ujdi në kurriz të tij dhe të marrin përsipër edhe fuqi negociuese për pjesën shqiptare të vendit të tij.

Mrekullitë dihet që janë shumë të rralla, jo vetëm në Ballkan. E nëse ndodhin, shumë shpesh pas tyre ndodhet truku i ndonjë zhongleri./DW/



Skip to toolbar