Mini-Shengeni, sot takimi Rama, Vuçiç e Zaev në Tiranë

Pasditen e kësaj të premteje nis takimi i Liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky do të jetë takimi i tretë rajonal ku do të diskutohet për krijimin e mini-Shengenit Ballkanik. Në takim pritet të jenë të pranishëm Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Ftesë kishte dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, por të enjten në një deklaratë ai njoftoi se refuzonte pjesëmarrjen.

 “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, tha Thaçi në deklaratën e tij.

Takimi i Tiranës vjen pas atij të Novi Sadit në Serbi dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Të tre liderët kanë rënë paraimisht dakord për krijimin e një zone ekonomike që lehtëson lëvizjen e lirë të mallrave, njerëzve dhe shërbimeve duke hequr disa barriera kufitare. Iniciativa e Ramës, Vuçiç dhe Zaev është përshëndetur nga Bashkimi Europian.

Një BE në miniaturë? Takimi ballkanik në Ohër

Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të vështirë të bashkëpunojnë ekonomikisht. Dogana, infrastruktura e keqe, tensionet politike mes fqinjëve e bllokojnë tregun. Kjo pritet të ndryshojë në takimin e Ohrit.

Mrekullitë kërkojnë kohën e tyre, kjo të vjen ndërmend, kur ndjek në media, se çfarë duan të bëjnë tre krerë shtetesh të Ballkanit këto ditë. Vetëm pak javë më parë, BE me veton franceze refuzoi hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Dhe pikërisht tani, kur shtohen paralajmërimet për tensione të reja në këtë rajon, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut me shumë gjasa po ecin me hapa të shpejtë drejt një ujdie të mrekullueshme…

Për vite me radhë ishte Brukseli, që nxiste për bashkëpunim më të ngushtë vendet e Ballkanit. Por pikërisht tani, kur Brukseli zor se i josh më këto vende me shpresat e anëtarësimit, papritur funksionon. Në Ohër në Maqedoninë e Veriut zhvillohet takimi i dytë rajonal (10-11.11) brenda një muaji. Jo vetëm këto të tre vende duket se e durojnë mirë njëra-tjetrën. Ato ftojnë shprehimisht edhe tre shtetet e tjera të mbetura jashtë, të bashkohen, për habi, edhe Kosovën. Çfarë po ndodh?

100 % dogana për produktet

Kooperimi ose “Konektiviteti”, siç e quajnë ekspertët, është nevojë urgjente për Ballkanin. Maunet që kanë ngarkuar mallra nga një vend konkurrent qëndrojnë në kufi shpesh me ditë. Doganat dhe burokracitë i izolojnë tregjet shumë të vogla ballkanike nga fqinji. Të pakrahasueshme në botë janë doganat 100% që Kosova vendosi për Serbinë. Edhe për persona privatë udhëtimet në periudhën e verës janë të vështira. „Smena”- kjo është fjala frikësuese, ndërrimi i turnit në postblloqet kufitare, kur sërish asgjë nuk ecën përpara. Nga pikëpamja ekonomike kjo është fatale. Për investitorët vende të tilla me fuqi të vogël blerëse nuk janë aspak interesante, edhe si furnizues për tregje të huaja prapë ato nuk janë shumë konkurruese për shkak të procedurave torturuese.

Në garën në drejtim të BE-së, vendet e Ballkanit jo rrallë kanë dashur ta shtyjnë nga pista fqinjin. Tani, të paktën kështu duket, ata, duke i ofruar krahun tjetrit, duan të ecin bashkë përpara. Ishte fillimi i tetorit, kur në Novi Sadin serb, presidenti serb Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev formuluan së bashku qëllimin që të fusin në Ballkan „katër liritë”, siç janë të vlefshme edhe në BE: Lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe personave. „Një mini-Shengen”, siç e quan Vuçiq, do duhet të mundësojë udhëtimet pa pasaportë, vetëm me kartë identiteti. Këtë të dielë (10.11) këto ide do duhet të konkretizohen. Realitet do duhet të bëhen në vitin 2021.

“BE në miniaturë- ballkanike”?

Por Ballkani nuk do të quhej Ballkan, nëse problemet nuk do të fshihesin në detaj. Të tre miqtë e rinj me kufijtë e tyre rrethojnë një vend gati komplet – Kosovën. Udhëtimet pa pengesa nga „Serbia në Shqipëri”, siç parashikon Vuçiq, do të çonin në shumë rrugë tërthore për sa kohë që një shtet tjetër Kosova nuk është i përfshirë. Megjithë njoftimin e  tre krerëve të shteteve për „mini BE”-në ballkanike, shumë nga problemet janë ose të kontestuara shumë në dialogun që kanë zhvilluar Prishtina dhe Beogradi, ose të shkruara vetëm në letër, por të pazbatuara në praktikë: njohja e dyanshme e diplomave për shembull. Se si do duhet ta arrijnë këtë gjashtë shtete, kur as dy prej tyre nuk ia dalin dot, kjo nuk dihet.

Edhe unioni doganor i planifikuar, në vështrim të afërt, ndodhet para problemeve të patejkalueshme. Që para se Kosova të vendoste doganat astronomike për produket serbe, ekzistonte frika, se Serbia me fuqinë e saj më të madhe ekonomike, do ta shtypte biznesin e sapongritur në Kosovë. Albin Kurti, që pret të jetë kryeministri i ri i Kosovës, fitoi shumë vota me kërkesën për një bojkotim total të produkteve serbe. Mali i Zi më i pasur, nga ana tjetër i trembet konkurrencës së lirë serbe.

E paqartë po ashtu është se si do të pajtohet unioni doganor me marrëveshjet e tregtisë së lirë, që Serbia së fundmi ka lidhur me unionin doganor euroaziatik të Putinit. Do të zhhvillojnë vendet aziatike në të ardhmen tregti pa kufizime me Rusinë, Kirgizinë apo Armeninë? Si pajtohet kjo zonë e tregtisë së lirë euroaziatike me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që vendet e Ballkanit kanë nënshkruar me BE?

Problemi i pazgjidhur me emrin Kosovë

Bërthama e kësaj „BE-je ballkanike” është aksi i ri Tiranë-Beograd. Me inskenimin e një „pajtimi historik në mes të serbëve dhe shqiptarëve” para tre vjetësh, si presidenti serb, Vuçiq, edhe kryeministri Rama i krijuan vetes avantazhe. Të dyja vendet kanë pak probleme me njëra-tjetrën, dhe nuk kanë nevojë shumë për pajtim. Afrohen „serbët” dhe „shqiptarët” me njëri-tjetrin, përfshihet edhe problemi i pazgjidhur i Kosovës: Me Tiranën miqësore mund të negociohej më lehtë se me Prishtinën bllokuese. Rama, që nga ana e tij e sheh veten si president të të gjithë shqiptarëve, e merr me dëshirë këtë rol. Interesat e Kosovës kështu injorohen. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të bënte mirë të ishte pjesë e këtij mini-Shengeni. Sepse pas shuplakës nga BE, ai ka nevojë për një sukses të dukshëm në vendin e tij. Nga ana tjetër, ai duhet të ketë kujdes që Tirana dhe Beogradi të mos bien në ujdi në kurriz të tij dhe të marrin përsipër edhe fuqi negociuese për pjesën shqiptare të vendit të tij.

Mrekullitë dihet që janë shumë të rralla, jo vetëm në Ballkan. E nëse ndodhin, shumë shpesh pas tyre ndodhet truku i ndonjë zhongleri./DW/

Mini-Shengeni, Rama: Do dëgjoj idetë e Albin Kurtit

Gjatë konferencës së gjatë për mediat, mbajtur fill pas përfundimit të punimeve të Këshillit Europian, Kryeministri Edi Rama foli për marrëdhëniet që do të ketë me Kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti. Ai tegoi fillimisht se me Albin Kurtin do të takohet së shpejti në Tiranë. Albin Kurti deklaroi në “Real Story” në intervistën për gazetarin Sokol Balla, se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për thellimin e bashkëpunimit mes tyre. Kreyministri Edi Rama u shpreh se kishte dëgjuar deklaratat e Kurtit, dhe u shpreh se binte dakord me të për nevojën e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Për këtë arsye, Rama u shpreh se do të propozojë vendosjen e një ministri shteti të përbashkët.

“Përsa i përket Albin Kurtit do të takohemi në ditët në vijim, ka kërkuar të më takojë e pres me kënaqësi, e kam ndjekur në prononcimet e tij, bie dakord me të që ka një nevojë për një shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe marrëveshjet e bëra duhet të shkojmë përtej dhe me qeverinë e re të plotësojmë boshllëqet që u krijuan me qeverinë e mëparshme, që në këtë fushë nuk arriti të bënte shumë. Kam edhe disa propozime të reja dhe është momenti për të vendosur një ministër shteti për të dy anët, për të pasur një pikë referimi institucionale në çdo pikë për ndjekjen e marrëveshjeve dhe çfarë mendoj se çfarë duhet bërë më tutje. Do të dëgjoj edhe idetë e freskëta të Albinit, tani që shpresoj dhe besoj, se nuk do të ketë ndonjë çudi” tha Rama.

Ndërkohë, kreu i qeverisë foli edhe për mini-Shengenin Ballkanik. Të enjten në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti la të hapur mundësinë për të marrë pjesë në takimin e nëntorit të mini-Shengenit Ballkanik. Ndërkohë, Rama u shpreh se Albini nuk është thjeshtë i mirëpritur, por dhe i ftuar. “Shengeni Ballkanik do të varet nga qeveria në Kosovë kur do të bëhet. Takimi është më 10 nëntor në Ohër, nuk e di nëse do krijohet. Albini ka qenë i qartë që Kosova të jetë në gjitha këto formate e tryeza. Jo thjeshtë të mirëpritur por janë të ftuar. Është bërë vetëm një deklaratë e përbashkët, lirie e njerëzve mallrave dhe shërbimeve e kapitalit. Për këto katër liri në Rajon. Kështu që në këtë aspekt nuk ka diskutim që nisma jo vetëm nuk është ekskluzive por gjithëpërfshirëse”, tha Rama.

Skip to toolbar