Një finale “e vogël” në Madrid/ Atletico-Arsenal është gjysmëfinalja tjetër në Champions

CHAMPIONS LEAGUE


Kualifikimet i patën të ndryshme, por objektivi mbetet i njëjtë. Atletiko e Madridit dhe Arsenali do të luajnë sonte gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve, një duel që mbetet në hije pas klasikes PSG-Bajern, veçse që vlen njësoj, të jep finalen.

Spanjollët padyshim që kanë moral të lartë pasi eliminuan Barcelonën në çerekfinale, në një derbi iberik për infarkt.

Londinezët, ndërkaq, sikur nuk janë më ekipi që kanë qenë, dhe me shumë vështirësi kaluan Sportingun e Lisbonës, por nuk duhet harruar se janë në krye të Premier Ligës angleze, dhe ishin skuadra më e mirë e grupit në Champions.

Atletiko ka të sigurta dy mungesa, si Pablo Barrios dhe Hoze Himenez, por trajneri Simeone shqetësohet nëse të tillë si Lokman apo Hanko do të jenë gati për mbrëmjen e sotme.

Problem më vete është forma e njërit prej sulmuesve kryesorë, argjentinasit Hulian Alvarez, që ka deklaruar se e ka kaluar dëmtimin, por nuk dihet nëse mund të jetë në 100 për qind.

Herën e fundit, ai mbeti në stol. Gjithsesi, çfarëdo dhimbjeje koke që të ketë skuadra spanjolle, Arsenali e tejkalon ndjeshëm.

Haverc, Merino dhe Timber janë të dëmtuar. Për fat, lojtari-kyç Bukajo Saka është në ekip dhe trajneri Arteta deklaroi se është gati, po ashtu si italiani Kalafiori.

Dy skuadrat nuk kanë luajtur shpesh ndaj njëra-tjetrës, vetëm tri ndeshje. Kanë kaluar 8 vjet që kur Atletiko e eliminoi Arsenalin në gjysmëfinalen e Ligës së Europës, me rezultatet 1-1 e 1-0, por shumë më i afërt është triumfi I thellë I “topçinjve” 4-0 në Champions, në ndeshjen e grupit pikërisht këtë sezon.

Si mund të përfundojë në “Uanda Metropolitano”?

Kompanitë e basteve japin favorit Arsenalin, edhe pse është udhëtues, ndërsa më pak shanse I jepen barazimit. Fitorja e Atletikos është kuotuar 2.85, ndërsa suksesi I londinezëve 2.5



Skip to toolbar