Një gazetari ruso-izraelit i ndalohet hyrja në Serbi

BOTA


Një gazetar i pavarur ruso-izraelit, i cili është shpallur “agjent i huaj” nga Moska tha të mërkurën se atij i ishte ndaluar hyrja në Serbi me arsyetimin se mund të paraqesë rrezik për sigurinë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Roman Perl tha se ai mbërriti në aeroportin e kryeqytetit të Serbisë, Beograd, për një vizitë personale të shtunën. Ai u mbajt për rreth tetë orë nga autoritetet para se t’i jepej një urdhër që ndalonte hyrjen e tij në Serbi.

“Ata më dhanë një letër, në të cilën thuhet se prania ime në territorin serb përbënte rrezik sigurie”, tha zoti Perl.

Qeveria ruse e shpalli gazetarin Perl “agjent të huaj” në vitin 2021, një emërtim që Kremlini e ka përdorur që nga viti 2012 për të goditur mediat dhe grupet e shoqërisë civile. Ligji e detyroi gazetarin Perl të largohej nga Rusia. Ai pastaj vazhdoi aktivitetin e tij në Izrael. Ekspertët e lirisë së shtypit shprehën shqetësimin për incidentin.

“Është shumë shqetësuese sepse mund të konfirmojë se autoritetet serbe po bashkëpunojnë me Moskën”, tha për Zërin e Amerikës nga Parisi, Jeanne Cavelier, shefe e zyrës së Reporterëve pa Kufij për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

“Udhëtimi në Serbi mund të jetë një rrezik i madh për gazetarët”, shtoi ajo.

Gazetari Roman Perl, i cili ka prodhuar më parë dokumentarë për kanalin televiziv “Current Time”, tha se po udhëtonte për në Beograd për të vizituar një mik.

Zoti Perl tha se ishte “e mundur, që autoritetet ruse, në raste të caktuara, mund të bindin serbët të bëjnë diçka, që pala ruse e konsideron të nevojshme”. Por, shtoi ai, Serbia mund ta ketë bllokuar atë për një ndalim të tij të shkurtër në Beograd në vitin 2023.

Ndërsa po filmonte një dokumentar rreth agresionit rus në Ukrainë në atë kohë, një nga të intervistuarit e tij shpalosi flamurin ukrainas pranë ambasadës ruse, tha ai.

“Pastaj anëtarët e xhandarmërisë serbe na thanë se ambasada u kishte kërkuar atyre që të na largonin nga zona”.

Gazetari Roman Perl më pas u mbajt në një qendër paraburgimi në polici për disa orë përpara se të lirohej. Ndaj tij nuk u ngrit asnjë akuzë.

Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit dhe Policia Kufitare e Serbisë nuk iu përgjigjën kërkesave me email nga shërbimi në gjuhën serbe i Zërit të Amerikës për koment rreth kësaj çështjeje. As ambasada e Serbisë në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë emailit të Zërit të Amerikës për koment.

Ndonëse Serbia ka një numër të madh mediash aktive, gazetarët shpesh përballen me trysni politike dhe një prirje të mosndëshkueshmërisë për krimet ndaj gazetarëve, sipas organizatave për mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Në shkurt të këtij viti, katër persona të cilët ishin akuzuar për vrasjen e gazetarit të njohur serb Slavko Curuvija në vitin 1999 u liruan pas një gjyqi të apelit.

Në raportin aktual mbi gjendjen e lirisë së shtypit në botë të organizatës Reporterët pa Kufij, Serbia radhitet në vendin e 98 nga 180 vendet e përfshira në raport./VOA



Skip to toolbar