Një kroate mund të zëvendësojë Hahn

POLITIKË


Eurodeputetja kroate, Dubravka Šuica, pritet të kandidohet në postin e Komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Ky lajm nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel pohuan për EWB se zonja Šuica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën.


Šuica u emërua nga Qeveria e Kroacisë si një nga 27 Komisionerët në Gusht. Ursula von der Leyen pritet të zbulojë listën e portofoleve të Komisionit të saj të Martën.

Pas prezantimit të Komisionit pritet të merret në tërësi edhe votëbesimi i Parlamentit Europian, ndërsa më parë do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët e përzgjedhur nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Europian do të fillojë zyrtarisht më 1 nëntor 2019.

Kush është Dubravka Šuica?

Anëtare e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) që nga viti 1990, Šuica ka shërbyer si kryetare e Dubrovnikut nga 2001 deri në 2009. Ajo ka qenë nënkryetare e HDZ.

Që nga hyrja e Kroacisë në Bashkimin Evropian në 2013, Šuica ka qenë anëtare e Parlamentit Evropian dhe i përket grupit të Partisë Evropiane të Popullit, ku HDZ është anëtare. Ajo u bë Nënkryetare e grupit EPP pas zgjedhjeve të vitit 2019.

Që nga viti 2014, Šuica është anëtare e Komisionit me ndikim të Parlamentit Evropian për Çështjet e Jashtme (AFET). Ajo ishte gjithashtu zëvendëskryetare e saj nga 2016 deri në 2019, si dhe anëtare e Delegacionit të PE për marrëdhëniet me Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën.

Megjithëse ajo mbështet pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, veçanërisht Bosnjën dhe Hercegovinën, Šuica është shprehur disa herë se është joreale që Serbia të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2025.

Sipas deklaratës së saj të bërë në maj të këtij viti, Serbia duhet të paraqesë një listë të personave të zhdukur dhe të kthejë trashëgiminë kulturore nga lufta e viteve 1990, si dhe të sigurojë që pakica kombëtare kroate në Serbi të ketë të njëjtin nivel të të drejtave si pakica serbe në Kroaci.

Para Šuicës, funksioni i Komisionerit për negociatat e zgjerimit mbahej nga Johannes Hahn, i cili merr një portofol tjetër në Komisionin e Von der Leyen. Gjatë gjithë verës u spekulua se Sllovenia dhe Hungaria janë të interesuara për portofolin e Zgjerimit.




Skip to toolbar