“Bogdani”, Harxhi: Basha të ikë, po e kthen PD në OJQ

POLITIKË


Edith Harxhi, ish-Zëvendësministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë gjatë qeverisjes së kryesuar nga Berisha, me kontakte dhe njohje në politikën ndërkombëtare, ka kritikuar ashpër Kryetarin aktual të opozitës, Lulzim Basha për largimin e Gert Bogdanit nga posti i sekretarit të marrëdhënieve me jashtë në Partinë Demokratike. Harxhi, e cila ka qenë tejet aktive dhe kritike kritike ndaj Bashës, sidomos pas paralajmërimit amerikan për klasifikimin e PD në organizatë të rrezikshme, është shprehur se kreu i opozitës po e kthen këtë parti në OJQ (Organizatë Jo Qeveritare) dhe ka kërkuar që ai të ikë nga drejtimi i saj, për t’i hapur rrugën një kryetari të ri.

“Largimi i Gert Bogdanit nga detyra e rëndësishme për politikë të jashtme në PD, tregon se Partia Demokratike po tkurret çdo ditë e më shumë dhe vizioni i Kryetarit të marrëveshjeve okulte është ai i kthimit të PD në OJQ. PD do ringrihet dhe vetëm një lidership i ri e shkul qeverinë me themel”, është shprehur Harxhi në Twitter.


Si pjesë e lëvizjes “Basha ik”, lëvizje që deri tani ka sulmuar fort kryetarin aktual të PD, por vetëm me deklarata publike në rrjetet sociale, Harxhi ka kritikuar edhe më parë Bashën, duke e cilësuar përgjegjës që kjo parti është kthyer në një organizatë të dhunshme për SHBA, duke e konsideruar atë fajtor për shkatërrimin e PD dhe etiketuar si “kryetari që s’u bë kurrë lider”. Diplomatja në karrierë është shprehur dhe më herët se opozita nuk mund të vijë në pushtet me këtë kastë drejtuesish, por duhet një ringritje e saj si një e djathtë që promovon meritokracinë dhe zgjedhjet e lira brenda vetes, një e djathtë që nuk përjashton mendimin ndryshe, e një e djathtë që ndihmon për rrjedhojë në ringritjen e një të majte po aq konkurrente.

Realstory denoncoi më herët se kjo largimi i Gert Bogdanit nga drejtimi i marrëdhënieve me jashtë, si një njeri me lidhje amerikane, ka ardhur për shkak të përplasjeve që ai ka pasur me Bashën, pasi mbajti qëndrim kundër memorialit turk në Tiranë dhe që me largimin e tij duket se PD po largohet edhe më shumë nga marrëdhëniet me SHBA dhe siç thotë Harxhi, po tkurret si parti politike në vend. /Realstory.al/




Skip to toolbar