“Lungomare 2” është projekti i radhës i ndryshimeve në Vlorë, që do nis nga Tuneli deri në afërsi të Radhimës. Një projekt që kushton 4 milionë euro, “Lungomare 2” do të ketë një gjatësi 3 kilometra, dhe do të jetë i pajisur me parkim nëntokësor, një pishinë olimpike me ujë deti, korsi të dedikuar për biçikletat dhe korsi për këmbësorët e pandërprerë, që do të lidh Vlorën me Orikumin.
“Lungomare 2” vijon si pjesë e zgjatimit të projektit “Lungomare 1’ dhe do të zgjidh një nga problematikat më të madha në zonë, mungesën e vendeve të parkimit. Projekti është prezantuar nga kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili tha se do të ndërtohet një parkim nëntokësor me 160 vende për mjetet.
“Projekti që sapo kemi filluar, nga zona e tunelit në drejtim të Radhimës, janë vazhdim i ndryshimit rrënjësor të faqes turistike të Vlorës. Do të ketë një pishinë olimpike me ujë deti për qytetarët, një pishinë për fëmijët dhe një parkim me 160 vende, për të cilin kemi vendosur në dispozicion një pjesë te buxhetit për të zgjidhur atë që ka qenë kontestimi më i madh i qytetarëve dhe vizitoreve, mangësia e vendeve të parkimit në territor. Do të ketë edhe një korsi të dedikuar për biçikletat për 3 km. Do të ketë edhe një rrugë kalimi për këmbësorët nga Vlora në Orikum pa ndërprerje. Fondi ka qenë i vlerës 3 milion euro por me shtimin e parkingut kemi shtuar edhe 1 milion euro i cili është kontribut i Bashkisë“, tha Leli.
Në lidhje me protestat e banorëve për prishjen e disa objekteve në aksion Vlorë –Orikum, Leli tha se po preken vetëm objektet pa leje. “Objektet që janë duke u prishur nga Vlora deri në Orikum janë të gjitha pa leje. Nuk po cenohet asnjë objekt i pajisur me leje. Objektet me leje, do t’i nënshtrohen procedurave ligjore, ashtu si ligji parashikon”.