Një mënyrë për të “parashikuar” tërmetin e radhës

OPINION


Nga Mero Baze

Pamja më e dhimbshme gjatë tërmetit në Tiranë, ishte shkatërrimi i pjesës së sipërme të tarracës së Fakultetit të Gjeologji- Minierave, në katin ku studentët mësojnë shkencën e Sizmiologjisë.


Si për t’u tallur me të gjithë përpjekjet e shkencës dhe natyrisht për të na treguar idiotët politikë që bëjnë parashikime, tërmeti dëmtoi më rëndë se gjithçka tjetër, pikërisht ndërtesën që ka prodhuar sizmiologët shqiptarë.

Kjo gjë më kujtoi një episod të hershëm si student, kur na patën çuar për praktikë tek “Qendra Sizmiologjike” diku afër Linzës, dhe profesor Betim Muço, po na demonstronte në një dhomë të vogël në majë të një bregu të thatë shtufi, brenda një ndërtesë njëkatëshe me tulla silikate, amplitudat e tërmeteve që po ndodhnin në atë moment në botë.

Unë po dëgjoja pa interes pedagogun dhe po shikoja një çarje të tullave silikate diagonalisht.

Profesor Betimi i pabezdisur nga mungesa e vëmendjes ndërhyri.

Është nga tërmeti, tha. Atë s’e dimë ku bie, dhe s’e kemi në dorë. Godinën që e kemi në dorë, s’e kemi bërë ne, e ka bërë ushtria.

Tani në gjithë këtë histeri paniku, që vjen kryesisht nga bestytnia se dikush e di kur do bjerë sërish dhe ka thënë rrini jashtë, një gjë është ende në dorën tonë. Dhe ato janë ndërtimet.

Shqipëria është në një brez mesatar sizmik, që duhet marrë në konsideratë. Historiku i tërmeteve shkatërrimtare ka shkuar deri 9 ballë dhe në histori flitet për tërmete 11 ballë.

E vetmja gjë që vlen, është që disiplina shkencore e mbijetesës ndaj tërmeteve, të përkthehet në ligjësi ndërtimi.

Çdo ndërtim duhet të marrë në konsideratë intensitetin më të lartë historik të një tërmeti në vend, dhe duhet të krijojë hapësira për gjendjen e emergjencës.

Kaq i ka në dorë njeriu, shteti, ndërtuesi, investitori, dhënësi i lejeve etj. Tërmetin nuk e kemi në dorë dhe mos u lodhni ta parashikoni.

Lodhuni të ndaloni ndërtues të papërgjegjshëm, leje të papërgjegjshme, mungesë hapësire për gjendje emergjence dhe injorimin e ligjësive natyrore.

Tërmete si ky i sotmi vlejnë shumë për të reflektuar për pasoja të mundshme katastrofike, nëse do të ishte një shkallë më lart, për pallatet që do të rrëzoheshin dhe që kanë brenda rrezes së ndërtimit pallate të tjera jashtë çdo rregulli, për diga të rrezikuara në lumenjtë e vegjël, e rezervuarët që ka 30 vjet që i ruan Zoti, për rrugica që mund të bllokohen nga një tarracë e vogël e rrëzuar dhe mund të zërë në çark një komunitet të tërë, për shtesa kati që mund të varrosin një pallat solid, si dhe shumë probleme të tjera që shoqërojnë bumin e ndërtimeve në Shqipëri.

Ndaj nuk do të ishte vonë të niste një studim shtetëror, për të përcaktuar pikat e nxehta që mund të rrezikojnë nga tërmetet, për shkak të ndërtimeve të paligjshme dhe ta nisim vetë me përgjegjshmëri tërmetin e komanduar, për të bërë me dorën tonë, atë që mund të bëjë tërmeti me papërgjegjshmëri për 30 sekonda.

Nga Durrësi në Tiranë janë së paku disa pika të nxehta që nuk dihet ç’mund të ndodhë, nëse e lë fatin e tyre në dorë të tërmetit. Është e vetmja mënyrë të “parashikojmë” dëmet e tërmetit të radhës.




Skip to toolbar