Një vit nga arrestimi/ Bideni kërcënon Rusinë për rastin e gazetarit Evan Gershkovich

BOTA


Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë të premten se SHBA-ja do të vendosë kosto për “përpjekjet e tmerrshme” të Rusisë që t’i përdorë amerikanët si “pazare”, në një deklaratë të lëshuar në njëvjetorin e arrestimit në Rusi të gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich.

Gershkovich, 32-vjeçar është bërë gazetari i parë amerikan i arrestuar me akuza për spiunazh në Rusi, që nga Lufta e Ftohtë, kur u arrestua nga Shërbimi federal i Sigurisë (FSB), më 29 mars të vitit të kaluar.


“Siç u kam thënë prindërve të Evan, kurrë nuk do të heq dorë nga shpresa. Do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë për ta siguruar lirimin e tij”, ka thënë Bideni në deklaratën që e ka lëshuar Shtëpia e Bardhë, e cila e quan arrestimin e gazetarit “tërësisht të padrejtë dhe jolegal”,shkruan Reuters.

“Do të vazhdojmë ta denoncojmë dhe imponojmë kosto për përpjekjet e tmerrshme të Rusisë për t’i përdorur amerikanët për pazare”, ka thënë Bideni.

Kremlini ka thënë të enjten se ishte e nevojshme heshtja e plotë kur bëhej fjalë për diskutimet rreth shkëmbimeve të mundshme të të burgosurve që përfshinin Gershkovichin.

Gazetari, gazeta dhe Qeveria amerikane mohojnë se ai është spiun. FSB-ja, pasardhësi kryesor i KGB-së së epokës sovjetike, ka thënë se Gershkovichi ishte përpjekur të merrte sekrete ushtarake.

Ai tani ka kaluar një vit në burgun e sigurisë së lartë të Moskës, Lefortovo, i cili është i lidhur ngushtë me FSB-në, dhe paraburgimi i tij është zgjatur deri më 30 qershor.




Skip to toolbar