Shqipëria renditet e pesta në Europë përsa i përket numrit të vrasjeve. Sipas të dhënave të INSTAT në Shqipëri përgjatë vitit 2018 u vranë 68 persona që i bie një person në çdo pesë ditë. Po kaq i lartë ka qenë numri i të vrarëve edhe gjatë vitit 2017.
Vrasjet në Shqipëri mbeten në nivele të larta, duke u renditur të pestët në Europë për normën e vrasjeve për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për dy vitet e fundit, norma e vrasjeve për 100 mijë banorë ishte 1.8, ndër më të lartat krahasuar edhe me vendet e Bashkimit Europian.
Krahasuar me vendet anëtare të BE-së, Shqipëria renditet krahas vendeve me normë të lartë. Rekordin në bashkimin europian e mbajnë vendet baltike. Në Letoni, norma e vrasjeve për 100 mijë banorë ishte 5.6, ndjekur nga Lituania me 4 vrasje për 100 mijë banorë dhe Estonia me 2.2 vrasje për 100 mijë banorë.
Edhe shteti ishullor i Maltës, kishte një normë të lartë të vrasjeve. Referuar përllogaritjeve të Eurostat, numri i vrasjeve atje për 100 mijë banorë ishte 2, raporton revista Monitor.
Fill pas Shqipërisë renditet Belgjika, me 1.7 vrasje për 100 mijë banorë.
Në vendet fqinje, Si Greqia dhe Italia, Eurostat përllogarit një normë vrasjesh me përkatësisht 0.7 dhe 0.6 vrasje për 100 mijë banorë.
Nga ana tjetër norma më e ulët e vrasjeve për 100 mijë banorë është përllogaritur në Luksemburg me 0.3 vrasje, ndjekur nga Norvegjia dhe Zvicra me 0.5 vrasje për 100 mijë banorë.