Njëherë të shembet, njëherë të mos shembet. Pendohet Raimonda, ndryshon mendim për teatrin

AKTUALITET


Pas marrëveshjes që kreu i PD-së, Basha, firmosi me Aleancën në Mbrotje të Teatrit Kombëtar, aktorja dhe ish deputetja Raimonda Bulku ndryshon mendim dhe thotë që teatri s’duhet shembur, por ama duhet të ndërtohet një i ri.

“Unë jam për një teatër të ri, dhe i qëndroj deklaratave të mia, por jo në dhunim të ligjeve, kolegëve, miqve e shokëve të mi!

Respekto traditën!

Ruaje historinë!

Ndërto teatër të ri, jo duke shkulur të vjetrin! Jam larg dhe me vjen keq që mungoj të jem mes kolegësh në teatër …!!!! Në krahët e mi mbaj mbesën time që më mrekullon dhe dëshiroj që të bëhet aktore teatri….!!!”, shkruan Bulku në një postim në Insagram.

Më herët kryeministri Rama postoi në rrjetet sociale një deklaratë të Raimonda Bulkut ku ajo theksonte se teatri i vjetër s’ka asnjë dyshim që duhet shembur pasi kushtet në të cilat punojnë aktorët janë mizerabël.

“Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës. Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar, me parametra të tjerë”, shprehej Raimonda Bulku pak kohë më parë.

Por duket se firma e Bashës në marrëveshjen me artistët protestues ka ndikuar që ish deputetja e PD-së të ndryshojë mendim.



Skip to toolbar