Nobel për adhuruesin e Milosheviç, Cakaj e Çitaku dënojnë aktin

AKTUALITET


Çmimi Nobel për shkrimtarin Peter Handke, i cili ishte një nga fituesit e fundit të çmimit prestigjioz për Letërsinë, që u nda në Suedi,  ka ngjallur debat të fortë, pasi ai njihet si një adhurues i madh i Miloshevic, por që ka përkrahur edhe idenë e spastrimit të shqiptarëve. Ky shkrimtar madje erdhi edhe në Kosovë dhe i ndihmoi me të holla serbët që jetojnë në Kosovë, e po ashtu përkrahu haptas idenë për spastrimin e shqiptarëve.

Handke mori pjesë në varrimin e njërit prej udhëheqësve më famëkeq në botë Slobodan Milosheviç, në vitin 2006 dhe në funeralin e tij laureati i “Nobelit” për letërsi, i mallëngjyer u shpreh: “Afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Milosheviç”. Siç dihet, Milosheviç, u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera, e për këtë u gjykua derisa vdiq. Peter Handke konsiderohet si një shkrimtar i shquar, me stil të veçantë prozaik, por krahas saj Handke njihet në mbarë botën për mbrojtjen e vazhdueshme për kriminelin serb. Kjo edhe e bën shkrimtar që shkakton shumë polemika.


Për këtë çmim kanë reaguar ashpër ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Kjo e fundit e ka konsideruar dhënien e Nobel për Handke veprim skandaloz. “Skandaloze! Komiteti Nobel vendos që të shpërblejë me çmimin e këtij viti në letërsi shkrimtarin Peter Handke – një njeri që lavdëroi Milosheviç, ‘Kasapin e Ballkanit’, dhe mbështeti regjimin e tij gjenocid. Nuk ka asgjë fisnike në lidhje me këtë! Ky është një vendim absurd dhe i turpshëm”, u shpreh Çitaku.

Po ashtu, Çitaku ka rikthyer në vëmendje një video të shpërndarë nga profesori i medias në Norvegji, Kenneth Andresen, pikërisht të vitit 2014, kur Peter Handke u prit me protesta nga bosnjakët dhe kosovarët në Oslo, kur ai mori çmimin Ibsen. Në atë kohë, Handke iu përgjigj protestueseve: “Shkoni në ferr, aty ku tashmë jeni”.

Edhe Cakaj shprehet i zhgënjyer që ky çmim i është dhënë një personi që ka mohuar genocidin. Madje ai shkon dhe me tej kur e quan “Akt i pakuptimtë dhe i turpshëm, dëshmitarë të së cilit jemi në vitin 2019”.

“Si një njeri i pasionuar me bukurinë dhe fuqinë e përjetshme të letërsisë për të pasuruar përvojën njerëzore dhe si viktimë e spastrimit etnik dhe gjenocidit, jam i mërzitur nga vendimi për t’i dhënë Çmimin Nobel në Letërsi një mohuesi të genocidit. Çfarë akti i pakuptimtë dhe i turpshëm”, shkruan Cakaj në Twitter.




Skip to toolbar