Turqia, delja jonë e zezë. I “hëngri kokën” Panuccit

#NËRADAR


Të premten në 20:45, kombëtarja jonë e futbollit do të përballet në Stamboll me Turqinë, në ndeshjen e turit të shtatë eliminator, për Euro 2020. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edy Reja do të tentojnë mrekullinë në këtë sfidë, pavarësisht se skuadra vendase vjen si favorite. Ajo e së premtes do të jetë përballja e dhjetë midis Shqipërisë dhe Turqisë në futboll, e teta ndeshje zyrtare, ndërsa 2 janë miqësore. Po çfarë thonë statistikat për përballjet mes dy kombëtareve. Përballja e parë mes Shqipërisë dhe Turqisë daton në vitin e largët 1970, në kualifikueset e evropianit.

Në takimin e datës 13 dhjetor të vitit 1970, kuqezinjtë u mundën me rezultatin 2-1, ndërsa në ndeshjen e kthimit, në 14 nëntor 1971, Shqipëria fitonte 3-0 ndaj turqisë. Një dekadë më pas, dy kombëtaret do të takoheshin përsëri në eliminatoret e evropianit. Në 27 tetor të vitit 1982, Turqia fitonte minimalisht në shtëpi me rezultatin 1-0, ndërsa ndeshja e kthimit në Tiranë, në 11 maj 1983 përfundoi në barazim 1-1.


Pas këtij takimi, do të duheshin gati dy dekada që dy skuadrat të përballeshin mes tyre. ishte 22 prilli i vitit 2001, kur kombëtarja jonë u përball me Turqinë në transfertë në një takim miqësor, të cilin e fitoi me rezultatin 2-0. Katër vite më vonë, në 2005, Shqipëria e gjen veten në të njëjtin grup me Turqinë për kualifikueset e botërorit.

Turqit fituan të dyja takimet, të parin në shtëpi me rezultatin 2-0, ndërsa të dytin në Tiranë me rezultatin 0-1. Pas 2005, kombëtarja jonë përballet në takimin e radhës me Turqinë në Antalia, në 13 nëntor 2017. Takimi u fitua nga kuqezinjtë tanë me rezultatin 2-3, në atë kohë drejtuar nga Christian Panucci, ndërsa golat ishin dopieta e Sadikut dhe një i Eros Grezdës, të dy mungojnë në takimin e së premtes.

Ndeshja e fundit mes Shqipërisë dhe Turqisë, ishte ajo e 22 marsit të këtij viti, kur kuqezinjtë drejtoheshin përsëri nga Christian Panucci, por në ndryshim nga 2017, ndeshja e këtij viti ishte zyrtare dhe Turqia fitoi me rezultatin 0-2 në Shkodër.

Ajo ishte në fakt dhe ndeshja e fundit e Christian Panuccit në krye të kombëtares tonë, pasi pas asaj humbje, FSHF vendosi t`i komunikonte trajnerit italian shkarkimin në orët e para të mëngjesit të datës 23 mars, ndërsa në maj të këtij viti, drejtimin e kuqezinjve e mori Edy Reja. Ndërkohë, sa i përket vlerave financiare, skuadra jonë kushton rreth 68 milion euro, ndërsa ajo turke kushton gati sa trefishi i kuqezinjve, me rreth 183 milion euro. /Realstory.al/




Skip to toolbar