Senatori francez Rachel Mazuir, i pranishëm dje në një aktivitet në qytetin e Korçës, theksoi se nuk do të ketë kthim të vizave për shqiptarët, ndërsa e cilësoi të njënashëm votimin e parlamentit holandez.
“Vendimi i parlamentit holandez është një vendim i pafavorshëm edhe ndaj Europës, është i njëanshëm dhe nuk mendojmë se ky vendim do të ketë ndikim në qëndrimet e Bashkimit Europian”, tha senatori për mediat.
Komente për votimin e parlamentit holandez erdhën edhe nga ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Vasak e cila u shpreh se “është një vendim i marrë nga parlamenti holandez, është një parlament sovran duhet kuptuar përmbajtja dhe se ku do të përfundojë, ka një procedurë të tërë dhe nuk jemi të sigurt nëse do të ketë një përfundim. Nuk e di se cili do të jetë kalendari i Europës, ku siç e dinë të gjithë mund të rrëshkasë, por mund të them se në sajë të kësaj vizite të senatorëve francezë u kuptuan ndjeshmëri të ndryshme politike dhe shpresoj që do të nxisë në njëfarë mënyre reflektimin.”