Skandali me lirimin në gjykatën e Vlorës, kapet në Tiranë i arratisuri

AKTUALITET


Policia e Tiranës njoftoi mëngjesin e së dielës se ka vënë në pranga një person, i cili kërkohej nga Vlora për tentativë vrasjeje, i cili rezulton se është pikërisht personi që rreth një vit më parë përplasi Ministrinë e Drejtësisë me gjyqtaren, që i fali lirinë.

Bëhet fjalë për arrestimin e Taulant Malajt (Beqiraj), emri i të cilit lidhet me një përplasje me armë të ndodhur në qytetin e Vlorës në shkurt të vitit 2018. Në atë kohë, ai arriti t’i shpëtonte për disa muaj policisë, por u vu në pranga në muajin maj 2018. Por, ai fitoi sërish lirinë, pasi brenda pak ditësh, gjykata e la me masë sigurimi “arrest shtëpie”. Kjo liri do të zgjaste për të rreth një muaj, sepse duke iu referuar dosjes në ngarkim të tij, në muajin qershor 2018, ai u arrestua sërish nga policia e Vlorës. Këtë herë, ai kishte thyer “arrestin shtëpiak” dhe gjatë një kontrolli rutinë, policia e kapi duke qarkulluar me një makinë, brenda së cilës u gjet edhe një pistoletë. Gjyqtarja e Vlorës, Herila Çela vendosi për të “arrest me burg”, masë që ndryshoi sërish dy muaj më vonë. Pikërisht në muajin gusht 2018, ajo vendosi për Taulant Malajn “arrest shtëpiak”, me pretendimin se në armën e gjetur në makinë, nuk ishin gjetur gjurmë gishtash të personit të arrestuar. Në këto kushte, ajo nuk mori parasysh faktin se ai po hetohej për përplasjen me armë të shkurtit 2018 dhe për thyerjen e masës së sigurisë “arrest shtëpiak” që kishte marrë në muajin maj, por u mjaftua vetëm me faktin se në pistoletë nuk ishin gjetur gjurmë gishtash. Kjo solli një reagim të fortë si të Ministrisë së Brendshme, ashtu edhe të Ministrisë së Drejtësisë ndaj gjyqtares. Madje, ministrja Gjonaj kërkoi inspektim nga KLD për vendimin e dhënë nga kjo gjyqtare, por që nuk ka të dhëna se çfarë është proceduar me këtë rast.


Ndërkohë, në muajin shtator, prokuroria e apeloi këtë vendim për lirimin e Malajt dhe Gjykata e Apelit vendosi ta rikthejë në “arrest me burg” personin e dyshuar. Por, në momentin që shkuan për ta gjetur në banesë, ai ishte arratisur për herë të dytë. Prej nga shtatori i vitit të shkuar Taulant Malaj ishte në kërkim. Policia tha se specialistët e antikrimit në komisariatin nr. 1, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person në kërkim nga Vlora fshihej në një pallat në lagjen “Ali Demi” dhe falë një pune të mirëorganizuar në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të këtij Komisariati, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar  “Befasia”.

Si rezultat i operacionit në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u bë e mundur kapja e personit në kërkim T. M., 29 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Ky person ishte shpallur në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë më datë 18 shtator 2018 ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Apelit Vlorë, e cila ka vendosur masën e sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në atë me “Arrest me burg” për  veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”./ Realstory.al/




Skip to toolbar