Nuk u përgjigj për konfliktin e interesit, Meta sulmon Komisionin: Janë vetë

POLITIKË


Presidenti Meta, disa orë pas paraqitjes në Komisionin Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij është shprehur se ky komision është në konflikt interesi, duke argumentuar kështu mungesën e përgjigjes ndaj pyetjes së deputetit, Adnor Shameti se: “A ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve?”.

Reagimin për mosdhënien e përgjigjes e ka bërë presidenca, nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, i cili ka sqaruar se pse Meta shmangu qëllimisht dhënien e një përgjigjeje, ndërsa tregoi  të gjitha arsyet shpjeguese. Sipas Blushit, arsyet se pse Meta zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjes së Shametit kishte të bënte me ruajtjen e atmosferës konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar, por edhe për konfliktin e interesit të vetë deputetëve.


“Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi. Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani. Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji”, deklaroi Presidenca.

Madje, Presidenca deklaroi se vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit. “Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit, ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019 dhe ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit. Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit”, deklaroi Presidenca.




Skip to toolbar