Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë me shifra zyrtare aludimet e opozitës për braktisjen e shkollës, e cila një ditë më herët, tha se sivjet janë regjistruar 100 mijë nxënës më pak se në vitin 2018, ndërkohë që trendi zbritës nuk ka filluar në kohën e qeverisë Rama, por që prej 25 vitesh, situatë e cila është e njëjtë edhe me vendet e rajonit. Madje, për këtë çështje edhe kreu i shtetit, Ilir Meta foli me shifrat e opozitës, pa u konsultuar me shifrat zyrtare.
Gjatë konferencës të zhvilluar mesditën e së martës, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka deklaruar se këtë vit shkollor kanë përfituar libra falas rreth 220 mijë nxënës në rang vendi, e ndërsa theksoi se në bankat e shkollës janë ulur 480 mijë nxënës, përfshirë këtu edhe arsimin profesional. “Në total sivjet regjistrimet janë 455 mijë nxënës nga klasa 1-12. 480 mijë nxënës, përfshirë edhe nxënësit e arsimit profesional. Rënia e numrit të nxënësve në shkolla, jo ekskluzivitet i Shqipërisë. Nga viti në vit ka rreth 10 mijë nxënës më pak në Shqipëri, trendi i rënies së nxënësve në parauniversitet ka nisur nga 1992 deri sot. Braktisja e shkollës ka rënë në mënyrë drastike dhe tërheqja e nxënësve nga 9-vjeçari në gjimnaz është më i lartë. 4000 mijë nxënës nuk kanë vazhduar gjimnazin, në kohën e Berishës, ndërsa sot 1300 falë politika tona”, deklaroi Shahini.
Një ditë më herët, Partia Demokratike deklaroi se në 6 vitet e keqqeverisjes së Edi Ramës Shqipëria ka 145 mijë nxënës dhe studentë më pak në bankat e shkollës dhe auditorët e saj dhe më shumë se 200 shkolla të mbyllura. Ndërsa mëngjesin e së martës, Presidenti Meta mbajti të njëjtën linjë, duke akuzuar se pikërisht prej antagonizmit politik po tkurret numri i nxënësve në shkolla, por që nga shifrat zyrtare rezulton se ky trend rënës, ka filluar që në vitin 1992 dhe jo vetëm gjatë qeverisjes së Ramës.