Tërhiqet Presidenti i Kilit, u nxori tanket protestuesve

BOTA


Kili është përfshirë nga protesta të mëdha në vend prej një jave, por që u përballën me reagimin e ashpër të qeverisë duke nxjerrë në rrugë ushtrinë dhe shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për t’i mposhtur kryengritjen e popullit. Duket se kjo gjë nuk funksionoi, pasi njerëzit filluan të dilnin gjithmonë e më shumë duke i bërë më të forta protestat. Rreth 1 milionë protestues mbushën rrugët e Santiagos, duke detyruar qeverinë të anulojë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të tërheqë ushtrinë. Gjithashtu presidenti i Kilit Sebastian Pinera vendosi të shpërndajë kabinetin qeveritar me qëllim për të krijuar një qeveri të re “që do trajtojë kërkesat dhe do menaxhojë të ardhmen”.

“U kam kërkuar gjithë ministrave të mi të japin dorëheqjen për të formuar një qeveri të re që të jetë e aftë të përballojë kërkesat e reja dhe të menaxhojë të ardhmen e vendit” – tha Piñera.

Protesta nisi me studentët, të cilët dolën në rrugë një javë më parë pasi u rrit papritur çmimi i transportit publik. Qeveria u përgjigj fillimisht shumë ashpër ndaj manifestimeve, gjë që rriti zemërimin e sindikatave, të cilat iu bashkuan studentëve. Pinjera u përgjigj sërish me ashpërsi, duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke vendosur shtetrrethime, si dhe duke shprehur në deklarata se vendi ishte në luftë. Ushtria u urdhërua të marrë përsipër mbrojtjen e institucioneve dhe tanket dolën në rrugë për herë të parë që nga koha e diktaturës. Por kjo shtoi numrin e protestuesve.

Pasi pa reagimin masiv, Pinera tha se e kishte kuptuar shumë qartë mesazhin e njerëzve dhe se kërkonte falje.

Bilanci i një jave protesta në Kili është 19 të vdekur, mbi 7 mijë të arrestuar dhe dëme në ekonominë e vendit të vlerësuara në rreth 1.4 miliardë USD.



Skip to toolbar