Provat shkencore të dokumentuara në një seri artikujsh të paraqitur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë javë theksojnë ndikimin e dëmshëm të ndryshimeve klimatike në fazat kyçe të ciklit jetësor të njeriut.
“Këto ofrojnë prova të rëndësishme shkencore se si shëndeti i grave shtatzëna, të porsalindurve, fëmijëve, adoleshentëve dhe të moshuarve ndikohet nga ndotja e ajrit dhe rreziqet e ndryshme klimatike, duke përfshirë zjarret, përmbytjet dhe nxehtësinë ekstreme. Kjo dëshmi është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse tregon rreziqet kryesore shëndetësore për secilin prej këtyre grupeve për këto ngjarje të ndryshme klimatike”, tha Anayda Portela, drejtoreshë e departamentit të OBSH-së.
Ajo vuri në dukje se koleksioni i artikujve të botuar në Journal of Global Health tregon se rreziqet shëndetësore të lidhura me klimën “janë nënvlerësuar në mënyrë thelbësore” për të rinjtë dhe të moshuarit dhe gratë shtatzëna, “me implikime serioze, shpesh kërcënuese për jetën”.
Studimet zbulojnë se rreziqet natyrore të lidhura me klimën kanë disa “ndikime serioze në shëndetin mendor dhe fizik” në shtatzëni dhe për njerëzit e rinj dhe të moshuar. Për shembull, autorët vërejnë se lindjet e parakohshme, të cilat tani janë shkaku kryesor i vdekjeve në fëmijëri, “rriten gjatë valëve të të nxehtit, ndërsa të moshuarit kanë më shumë gjasa të pësojnë sulme në zemër ose shqetësime të frymëmarrjes”.
Ata raportojnë se valët e të nxehtit gjithashtu “ndikojnë në funksionin njohës dhe për rrjedhojë të mësuarit për fëmijët dhe adoleshentët”.
Raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike për Gjendjen e Klimës Globale konfirmon vitin 2023 si vitin më të nxehtë të regjistruar dhe parashikon se temperaturat globale gjatë “të gjithë periudhës pesëvjeçare 2024-2028 do të kalojnë 1.5 gradë celsius mbi epokën para-industriale”, për të cilën shkencëtarët paralajmërojnë se mund të çojnë në ndryshime të shpejta dhe të pakthyeshme të klimës.